Në një intervistë ekskluzive për “Opinion”, ambasadori britanik Nicholas Abbott flet për punën e tij në Shqipëri, të cilën e nisi vetëm 5 muaj më parë. Teksa thekson se bashkëpunimi i deritanishëm me qeverinë shqiptare ka shkuar më mirë nga se e priste, Abbott komenton edhe protestën e shqiptarëve dy vite më parë në Londër. Sipas tij, ajo periudhë ishte e vështirë për Mbretërinë e Bashkuar për shkak të fluksit të emigrantëve.

Blendi Fevziu: Përpara pak vitesh, le të themi para 2 vitesh, kishte disa ndjesi anti-shqiptare brenda shoqërisë britanike. Besoj e mbani mend protestën e shqiptarëve në zemër të Londrës…

Nicholas Abbott: E mbaj mend…

Blendi Fevziu: Duke thënë se ne jemi pjesë e këtij shteti, ne e kemi ndihmuar këtë vend dhe kemi ndihmuar edhe vendin tonë po ashtu. Pse kanë qenë këto ndjesi?

Nicholas Abbot: Mendoj se ka qenë një periudhë shumë e vështirë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të rritjes së madhe në emigrantëve të parregullt që vinin në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.

Ambasadori shtoi se sot qeveria britanike po punon për politika më të favorshme ndaj emigrantëve, por nënvizon faktin se duhet ndjekur gjithnjë rruga ligjore për të jetuar atje.

Nicholas Abbot: Dhe njerëzit ishin të pasigurt se si të sillen kundrejt kësaj çështjeje. Tanimë ne kemi një qeveri të re e cila dëshiron që ti adresojë këto çështje në mënyrë afatgjatë dhe po shqyrton për zgjidhje novatore dhe krijuese për të zgjidhur çështjen.

Blendi Fevziu: Por ambasador, mendoj që shumë njerëz duke ndjekur lajmet dhe duke dëgjuar nëpër lajme se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për punëtorë, shoferë, njerëz që do të bëjnë punët e përditshme sepse kanë nevojë për njerëz të tillë, thonë pse të mos i bëjmë ne këto punë, për shembull?

Nicholas Abbott: Përgjigja është se ka mënyra të ligjshme për ta bërë këtë gjë.

Blendi Fevziu: Por a është e lehtë?

Nicholas Abbott: Jo. Asnjëherë nuk ka për të qenë e lehtë. Nuk jetojmë në një botë ku gjëra të tilla janë të lehta…

Blendi Fevziu: Por është e mundur.

Nicholas Abbott: Por është e mundur. Pa diskutim.

Blendi Fevziu: Cila është rruga që mund të ndjekin për ta bërë këtë gjë?

Nicholas Abbott: Sigurisht që të duhet të aplikosh për një vizë të rregullt pune për në Mbretërinë e Bashkuar, duhet të dëshmosh se e ke një mundësi aty, dhe më pas duhet të kalosh një proces të caktuar. Jam përfshirë edhe në Kosovë në mundësi të tilla. Pra është e mundur që ta bësh, por nuk jam duke thënë se është e lehtë. Por është e mundur që ta bësh.

Abbott thotë se perceptimi ndaj shqiptarëve në vendin e tij ka ndryshuar shumë, sidomos dy vitet e fundit.

“Mendoj se të dyja palët kanë bërë përpjekje për ti ndryshuar këto perceptimet dhe këtë mund ta shikojmë nga numri i lartë i turistëve britanik që vizitojnë Shqipërinë”, tha ai.