Nga Toni Gogu/
Çdo të enjte, para se të futem në Sallën e Seancave Plenare, kaloj pranë përmendores së Pjetër Arbnorit. Nuk e kam njohur personalisht, por me shumë vëmendje kam dëgjuar bashkëkohës të tij. E përshkruajnë si një burrë të përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë, një shkrimtar dhe intelektual që vuajti për dekada në burgjet e komunizmit pa e cënuar integritetin e tij. Kjo vepër në vetvete meriton nderim të veçantë.
Pas lirimit, ai kontribuoi në jetën publike dhe politike, duke shërbyer deri si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Historia jo shumë e largët e ka fiksuar Arbnorin si një mbështetës të palëkundur të demokracisë dhe institucioneve të reja. Në kujtesën politike mbetet simbol edhe për aktin e tij të guximshëm: grevën e famshme për mbrojtjen e fjalës së lirë në median publike. Kjo grevë çoi në miratimin e amendamentit nga shumica socialiste e kohës, që sot njihet si “Amendamenti Arbnori”, duke garantuar pavarësinë institucionale të Radiotelevizionit Publik Shqiptar nga ndërhyrjet politike.
Ka shumë gjasa se për “rithemeluesit” e Partisë Demokratike, Pjetër Arbnori përfaqëson një tjetër lloj morali. Jam i bindur se respektin dhe përkushtimin e tij ndaj institucioneve dhe dialogut konstruktiv e shohin si dobësi, e jo si virtyt. Për “rithemeluesit”, të qenit pjesë e institucioneve që ata i konsiderojnë të korruptuara është një shenjë turpi, jo dinjiteti.
Dallimi thelbësor mes burrave të djeshëm si Arbnori dhe “rithemeluesve” të sotëm të Berishës qëndron në qasjen ndaj institucioneve. Për një institucionalist, njerëzit themelojnë institucione dhe formohen prej tyre. Familja është institucioni më i lashtë. E me pas vijnë sinagoga, kisha e xhamia. Vijojnë me pas çerdhja, kopshti e shkolla. Ndërmarrja private apo shtetërore është një institucion. Për të ardhur te zyra e shtetit. Nën parimet dhe standartet e këtyre institucione ne zhvillojmë karakterin tonë. Zhvillojmë ndershmërinë, dhembshurinë, përgjegjshmërinë, durimin, përkushtimin, besnikërinë, pjekurinë etj. Prindi na themelon në ndershmëri dhe dhembshuri. Edukatorja dhe mësuesja na përçojnë edukatë dhe disiplinë. Gjyqtari i mirë na mëson si të zbatojmë ligjin dhe Kushtetutën. Besimtari i mirë mishëron dashurinë për të afërmin. Thënë këtë, të gjithë ata që besojnë te këto institucione e dinë se sado të mira e të shenjta ato kanë nevojë për ripërtërirje. Dhe pavarësisht nevojës për t’u ripërtërirë, institucionet për ithtarët e tyre mbeten gjithmonë të ligjshme dhe të domosdoshme për shëndetin e shoqërisë.
Nga ana tjetër, morali i Rithemelimit i sheh të gjithë besimtarët dhe mbrojtësit e institucioneve, siç ishte edhe zoti Arbnori, si servilë apo skllevër të sistemit. Sipas një “rithemeluesi” nëse je themeluar në karrierën tënde në institucione dhe përmes tyre, duke respektuar e zbatuar rregullat, je thjeshtë pjellë e sistemit të korruptuar. Madje shtetarët dhe institucionalistët e sotëm, sipas “rithemeluesve” u shërbejnë dhe mbrojnë struktura të kalbura dhe të kapura nga “horrat” dhe “mercenarët”. Nuk e di si ndihet Arbnori i heshtur në oborrin e Parlamentit kur sheh heroin e zhurmshëm “rithemelues” që sfidon institucionet, që shkel rregullat dhe është gati për dyluftim fizik. Për Berishën dhe “rithemeluesit” e tij, njerëzit që përfaqësojnë drejtësinë e re si Prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e GjKKO-s, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë “puçistë”, “kriminelë”, dhe “ndrikulla të rrezikshme”. Pra, sot nëse je në telashe me ligjin dhe me drejtësinë, je kandidat për të qenë heroi “rithemelues” në luftën me sistemin e kalbur.
Në fillim “Rithemeluesi i Madh” përmbysi moralin. Ndaj ashtu përmbysur, natyrisht që një politikan i zhytur në skandale duket më i besueshëm se robi i ndershëm. Po nga këndvështrimi i përmbysur, lideri pavarësisht përballjes me akuza për korrupsion madhor apo shpërdorim detyre është simboli i “burrërisë” dhe “guximit”, se u përball me sistemin. E sipas kësaj logjike, nëse një prokuror i SPAK regjistron akuzë, ai është “i shitur” dhe “mercenar”. Pasi përmbysi moralin, pasi u hidh në sulm ndaj shoqërisë së institucionalizuar, atëherë “Rithemeluesi i madh” filloi të shpërndajë medalje nderi për të gjithë ata që iu bashkuan reaksionit anti-institucionalist.
Përplasja me institucionet, qofshin ato të pushtetit gjyqësor, apo ekzekutiv apo edhe vetë pushtetit ligjvënës, nuk është thjeshtë një telendari poltike deri në kufijtë e marrëzisë,, por është një betejë për moralin dhe të ardhmen e shoqërisë. Në ditët, javët, muajt dhe vitet që do të vijnë, do të shohim sulme të vazhdueshme mes shqiptarëve institucionalistë që duan të ripërtërijnë institucionet nga brenda dhe “rithemeluesve” që duan t’ua vënë flakën nga themelet. Kjo betejë do të zhvillohet jo vetëm për drejtësinë, por edhe për arsimin, për administratën publike dhe për vetë strukturat e demokracisë.
“Rithemeluesit” e kanë një avantazh: atë të prishjes dhe shkatërrimi. Pasi është më e lehtë të prishësh, djegësh e shkatërrosh sesa të themelosh, ndërtosh, reformosh. E të lodhurit nga dështimet dhe korrupsioni afro njëqind vjeçar, i josh të priren të besojnë te radikalizmi i dhunshëm që u premton revolucion dhe jo ripërtëritje.
Ndërkohë, historia kokëfortë na dëshmon se karakteri është përcaktues. Narcisistët, hileqarët dhe shkatërrimtarët mbërrijnë shumë shpejtë në fundin e tyre vetëshkatërrues. Ndërsa ndërtimi dhe reformimi i shtetit është i vështirë dhe kërkon përkushtim të gjatë e të ndershëm.
Të gjithë besimtarët dhe mbrojtësit e institucioneve duhet të frymëzohen nga figurat shtetndërtuese dhe të kuptojnë mirë amanetin e tyre: ndryshimi i vërtetë vjen nga ata që e duan këtë vend dhe institucionet e tij, jo nga ata që synojnë t’i djegin për të ndërtuar një pushtet personal mbi hirin e tyre. Pyetja që duhet të na mundojë është: si dotë donim të ngjanin fëmijët tanë? Reformatorë që nderojnë përkushtimin ndaj shërbimit publik apo zjarrvënës që betohen të shkatërrojnë gjithçka?
Beteja për zemrat dhe mendjet e brezit të ardhshëm sapo ka nisur.