Nga Belinda Balluku

Nuk denjoj zakonisht t’i përgjigjem atyre që luftën për pushtet e bëjnë me topa balte dhe jo me argumente të denja për votën që i ka sjellë këtu, por dy fjalë i kam për të vetmin vlonjat frikacak që kam njohur, i cili me britmat e tij (deri në kufijtë e ndotjes akustike) më kujton atë filmin Beni ecën vetë, kur fëmija kalonte pyllin natën dhe këndonte për të mundur frikën.

Tani ti, Goni, që ke vendosur të ecësh vetë duke bërtitur si trim i trembur, more raport mjekësor kur unë erdha në sallën e parlamentit se më kishe kërkuar interpelancë. Nuk e di nga çfarë ke frikë kaq shumë që bërtet dhe gënjen sikur këndon, po nëse kishe frikë nga ish-shokët e partisë që të futeshe në sallën e parlamentit dhe more raport mjekësor, bën mirë të kthehesh te shokët, se nuk ecet vetë duke bërtitur nga frika.

Sa për ato akuzat dhe gënjeshtrat që artikulon me britmat e tua, janë vetëm prova që ti je njësoj si ish-shokët e partisë dhe përgjigjen do ta marrësh njësoj si ata më 11 maj, kur ndryshe nga disa prej tyre që do të vijnë këtu prapë të ndezin qirinj për partinë e ikur për skrap, ti do të ikësh bashkë me partinë, se shqiptarët dinë gjithmonë kë duhet të votojnë, shqiptarët dinë gjithmonë të vlerësojnë punën dhe jo britmat e ulërimat e baltës. Pyet ish-shokët, se ata e dinë më mirë.