Betlehemi dhe Krishtlindja e dytë në hijen e luftës. Turizmi ndodhet në prag të kolapsit, banorët largohen, atmosfera e mbushur me trishtim dhe heshtje.

Krishti, sipas historisë së Krishtlindjes në fenë e krishterë, lindi në një stallë në Betlehem. Arsyeja ishte se nuk kishte vend strehimi në Betlehem. Ndërsa sot, 2000 vjet më vonë, situata është krejtësisht ndryshe: pothuajse të gjitha 5.000 dhomat e hoteleve në qytet janë bosh.
Ka mungesë turistësh. Kjo prek jo vetëm hotelet, por edhe dyqanet lokale dhe të gjithë qytetin. Ramzi Sabella ka një dyqan të vogël në afërsi të Kishës së Lindjes së Krishtit. Ai mban mend gati çdo turist që vizitoi dyqanin e tij këtë vit. “Para disa javësh ishte një mysafir nga Nigeria”, thotë pronari i dyqanit.

Ramzi zakonisht u shet karikues celularësh dhe shkopinj për selfie pelegrinëve nga e gjithë bota. Sidomos në Krishtlindje ai do të kishte shumë punë – në rrethana normale. Në kohë lufte, gjithçka është ndryshe. “Tani ndonjëherë vijnë vetëm disa vendas – dhe ata kryesisht blejnë produktet më të lira. As ata nuk kanë më para,” shpjegon Ramzi.
Banorët largohen nga Betlehemi
Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, ekonomia në Bregun Perëndimor të kontrolluar ngaIzraeli, ku ndodhet Betlehemi, ka pësuar një rënie të madhe. Turizmi ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për qytetin për dekada. Megjithatë, sipas të dhënave të shoqatës lokale të hotelierëve, numri i dhomave ku akomodohen turistët në hotele ka rënë nga rreth 80 për qind para luftës në vetëm tre për qind sot.
As në sheshin e madh të Lindjes së Krishtit përballë Kishës së Lindjes, atmosfera nuk është më e mirë. Nga atje zakonisht dëgjohet muzika e lartë e Krishtlindjeve, duke mbushur të gjithë pjesën e vjetër të Betlehemit. Këtë vit mbretëron heshtje: pa këngë krishtlindjesh, pa pemë krishtlindjesh, pa dekorime. Në shesh janë vetëm disa gazetarë që raportojnë për ngjarjet e trishta.
Ky është viti i dytë me radhë që Krishtlindjet në Betlehem festohen nën hijen e luftës. Sipas autoriteteve lokale, në muajt e fundit pothuajse 500 familje janë larguar nga Betlehemi – një numër i konsiderueshëm ky, duke pasur parasysh se qyteti ka vetëm rreth 30.000 banorë. Këto janë vetëm shifrat zyrtare, sepse mendohet se numri është edhe më i madh. Banorët e mbetur thonë se shumë të tjerë, duke përdorur viza të përkohshme turistike, u larguan dhe tani po përpiqen të sigurojnë bukën e gojës jashtë vendit duke bërë punë të ndryshme.

“Një mesazh për të gjithë botën”
Por rritja e varfërisë është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është vrasja e mijëra palestinezëve në Rripin e Gazës, ndaj askush këtu nuk është në gjendje për të festuar. “Këtë vit ne po lutemi në heshtje – dhe duam t’i dërgojmë një mesazh mbarë botës,” shpjegon prifti Issa Musleh nga Kisha Ortodokse Greke. “Ne dënojmë thellësisht atë që po ndodh në Gaza tani.”
Edhe në Betlehem, si pjesa tjetër e Bregut Perëndimor, atmosfera është bërë gjithnjë e më e tensionuar që nga fillimi i luftës. Rreth 50.000 të krishterë, si dhe shumica myslimane në këtë rajon nën kontrollin izraelit, ndihen kështu. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 700 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës, e janë vrarë edhe 23 izraelitë në të njëjtën periudhë. “Për momentin, në Krishtlindje, të gjithë duhet të kujtojnë se Krishti lindi në Betlehem për të thirrur njerëzit në paqe”, thotë prifti ortodoks grek.

Dëshira për bashkëjetesë paqësore
Në këto rrethana, është më e vështirë se kurrë për të krishterët në rajon të besojnë në mesazhin e shpresës që sjell Krishtlindja. Megjithatë, banorët e Betlehemit kanë treguar prej kohësh se bashkëjetesa paqësore është e mundur, sipas kamarierit Nadeem. Ai i vështron me trishtim ngjarjet para Kishës së Lindjes së Krishtit nga larg – nga kafeneja e tij e zbrazët në një kodër përballë.
Megjithëse është mysliman, Nadeem ndjek një universitet të krishterë. Para luftës, ai shkonte shpesh në Izrael, vetëm disa kilometra larg, ku kishte shumë miq hebrenj. “Në fakt ne të gjithë duam të njëjtën gjë,” thotë Nadeem. Një jetë të thjeshtë në paqe./DW