Komisioni Evropian ka thënë se të premten do të nisë një operacion për dërgimin e 50 tonëve të ndihmave në Siri, përmes Turqisë fqinje.
Pajisjet për kujdes shëndetësor do të nisen prej magazinave të BE-së në Dubai dhe më pas në Adana të Turqisë, dhe më pas do të dorëzohen në Siri “në ditët në vijim”, është thënë përmes një komunikate. Më pas, ndihma shtesë prej rreth 46 tonësh, do të dërgohet prej Danimarkës në Adana, ndërsa në Siri do të shpërndahet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
UNICEF-i ka thënë që më shumë se një milion njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë detyruar të zhvendosen në Siri prej nisjes së ofensivës së rebelëve, që ka rezultuar me rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të diskutojë sërish për ndihmë humanitare, kur të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan të martën në Turqi.
“Me një situatë aq armiqësore në terren, ndihma jonë për njerëzit në Siri është edhe më e rëndësishme”, është cituar të ketë thënë ajo.
Komisioni ka thënë se ka arritur t’i mbledhë katër milionë euro për “të adresuar nevojat më urgjente humanitare”, duke e çuar shifrën totale në 163 milionë eurove.
Regjimi brutal i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë. Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin.
Në vjetët e fundit, HTS-ja, grup militant islamist, i ka prishur lidhjet me Al-Kaidën, dhe ka tentuar të prezantohet si alternativë pragmatike ndaj Qeverisë siriane.
Megjithatë, ka shqetësime për abuzime që ka kryer grupi, si dhe për lidhjet me grupe tjera terroriste. HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL