Bashkimi Evropian e paralajmëroi të martën Kosovën se do të rrezikonte të kthehej shumë mbrapa nëse do të lejonte politizimin e certifikimit të listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Ky reagim i bllokut vjen pas përpjekjeve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për të mos e lejuar certifikimit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

BE-ja bëri thirrje që listat zgjedhore në Kosovë të certifikohen sipas kritereve ligjore dhe që të gjithë kandidatët të kenë mundësi për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta, në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës.

“BE dhe vendet e saj anëtare kanë nënvizuar në konkluzat e Këshillit më 17 dhjetor zhvillimet pozitive në Kosovë lidhur me kornizën zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e sajë gëzojnë një demokraci të gjallëruar, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike e jo procedurave ligjore do të shënonte një kthim serioz prapa“, thuhet në komunikatën e BE-së.
Në ditën e njëjtë, Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër certifikimit të Listës Serbe, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ kishin votuar kundër certifikimit të Listës Serbe në një mbledhje të mbajtur më 23 dhjetor.

Ata e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.
Pas vendimit të Supremes, KQZ-ja pritet të mblidhet për ta certifikuar Listën Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – dhe t’i japë dritën jeshile për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
BE-ja tha se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), roli i të cilit për mbikëqyrjen e zgjedhjeve është kyç, të sigurojë që të gjitha mekanizmat në fuqi të mundësojnë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent.

KQZ-ja i ka certifikuar 27 parti politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Deri më tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme./ REL