Nga Jakin Marena
Sa më shumë afrohen zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, aq më shumë shtohen përpjekjet e Sali Berishës për të demonstruar para militantëve të tij vendosmërinë se do të jetë në krye të PD dhe pas humbjes së paralajmëruar përballë PS dhe Edi Ramës.
Jo se e pranon ndonjëherë humbjen Berisha. Nuk ndodh kjo. Edhe sikur humbja të jetë ashiqare dhe e hapur, siç janë dhe gjasat që të ndodhë më 11 maj të vitit të ardhshëm. Ka dhënë prova se nuk pranon kurrë humbjen përballë kundërshtarit, pavarësisht se diferenca mund të jetë 1 milion vota. Në këtë ‘sektor’ Berisha e ka koficentin e pranimit zero. Nuk ka asnjë diskutim.
Dhe si gjithnjë do të gjejë një sebep për të treguar se ia kanë marrë votat, ia kanë grabitur votat, ia kanë blerë votat me paratë e krimit sipas tij, duke tjetërsuar rezultatin. Anipse sa herë ka humbur nga ai, rezultati i zgjedhjeve është njohur ndërkombëtarisht dhe nuk ka pasur asnjë provë për t’i goditur zgjedhjet në organet ligjzbatuese të caktuara për këtë punë. Për më tepër që askush nuk e beson se Berisha është kaq ‘krahëthatë’ dhe ‘njeri pa njeri’ sa t’i marrin votat para syve, askush nuk e njeh për ‘krahëthatë’ që t’ia marrin copën e ‘lorromanes’ përpara si pa të keq. Për gjërat e tij Berisha të merr ‘gjak në vetull’ dhe akoma më keq. E dinë shqiptarët.
Për më tepër që Berisha e ka treguar në 34 vite se ka qeverisur dy herë me votat e marra ‘hua’ andej këndej, duke shfrytëzuar përçarjet, aleancat e hapura dhe fluide, ‘kolonat e pesta’ brenda kundërshtarëve politikë, për të bërë minimumin ‘jetik’ të votave për të qeverisur. Madje dhe duke i vjedhur si më më 26 maj 1996.E sidomos për të ardhur për herë të dytë në pushtet në vitin 2005 dhe qeverisur për dy mandate. Herë me Xhuvelin pas ndarjes së LSI nga PS e herë dhe me vetë LSI e Ilir Metës. Duke treguar qartë se kurrë PD dhe Berisha nuk i kanë pasur votat e veta të plota për të qeverisur. Akush nuk i ka marrë asgjë, përkundrazi PD ka marrë goxha.
Dhe këto sebepet kanë nisur që herët të përdoren nga Berisha për të justifikuar humbjen e prithshme në zgjedhjet e 11 majit 2025. Në fillim kishte si alibi faktin se e kishin mbyllur në arrest shtëpiak, duke goditur pikërisht sipas tij ‘zemrekun’ e opozitarizmit në Shqipëri, për interes të Ramës. Pavarësisht se Berisha ka qënë në arrest shtëpiak për një moszbatim vendimi të Gjykatës së Posaçme. Pavarësisht se me zullumet që ka bërë duhej të ishte në qeli me kohë dhe vajt. Por burrë i vjetër hesapi, dhe SPAK e GJKKO kanë vënë ‘dorën në zemër”. E lanë në arrest shtëpiak, dhe ka disa javë që e kanë nxjerrë në liri fare, thjeshtë me detyrim paraqitje.
Por në vend që t’i bënin nder duke e hequr masën e arrestit shtëpiak, në të vërtetë i bënë shumë ‘dëm’, pasi i hoqën Berishës bashkë me masën e arrestit dhe alibinë e humbjes së zgjedhjeve nga PD si “parti që garon me kryetarin në burg”. Me dashje apo pa dashje ia bënë këtë ‘dëm’ të rëndë SPAK dhe Altin Dumani, nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë, por kjo duket se e ka acaruar shumë Berishën dhe ia ka shtuar inatin ndaj Altin Dumanit, sa s’lë rast pa e ka e sulmuar me akuzën si pjestar e organizatës kriminale dhe si i komanduar nga Rama.
Nuk dimë nëse do të vijojë me të njejtën gjatësi vale akuzat ndaj Dumanit, tashmë që kreu i SPAK është shpallur e certifikuar zyrtarisht nga SHBA si kampion i luftës kundër korrupsionit, dhe kur dosjet në ngarkim të Berishës, afera e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani’ në favor të dhëndrit Jamarbër Malltezi ka shkuar në gjykatë e kopsitur nga SPAK, kur hetimet për ’21 janarin’, ‘Gërdecin’, pasuritë e tij e të familjes dhe akuza të tjera janë në përfundim e sipër, çka e rëndojnë më shumë situatën e ish kryeministrit demokrat në përballje me drejtësinë.
Por që të rikthehemi te vendosmëria e Sali Berishës për të mos lëvizur nga drejtimi i PD siç e përcakton statuti i kësaj partie, i bërë nga vetë ai në pikën ku kryetari humbës në zgjedhjet parlamentare dorëhiqet menjëherë, Berisha po tenton me të gjitha mënyrat të karikojë ata pak mbështetës që kanë mbetur për t’i bindur që PD i ka votat për të fituar, por do t’ia vjedhin dhe blejnë rrugës. Për këtë arsye e ka ngritur lart ‘stekën’ e ‘fitores’ së dëshiruar ku përmes ithtarëve të tij, duke filluar nga Flamur Noka, deklarohen se sipas sondazheve të tyre, vetëm ata i dinë rezultatet e këtyre sondazheve, fitojnë deri në 60 përqind të votave.
Jo pa qëllim Berisha lë për të kuptuar se do t’ia marrë kundërshtari politik votat, ndaj dhe kërkon me patjetër një qeveri teknike, pasi me Ramën kryeministër nuk fitohet. Anipse Berisha me këto deklarata demotivon demokratët për të dalë e për të votuar. Por Berisha nuk interesohet shumë për fitoren e pamundur të PD, sepse e di se nuk fiton kurrë sa të jetë ai në krye të kësaj partie. Ai lufton thjeshtë dhe vetëm për të pasur vendin e dytë në rang-listën e subjekteve politike, pas PS dhe vendin e parë në krye të partive në opozitë. Kaq i mjafton atij, si me shumë si më pak vota, mjafton të jetë kryetar i partisë më të madhe opozitare, për të pasur partinë si mburojë për çdo eventualitet përballë drejtësisë. Për të qënë faktor përballë ndërkombëtarëve por dhe për të bërë ndonjë pazar ku të dalë nëse i jepet mundësia. Kaq i mjafton Berishës.
Për këtë arsye Berisha nuk ka munguar asnjëherë të zbulojë veten se është në kërkim të alibive të humbjes së thellë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Mjafton që të mos ketë askënd tjetër në krye të PD, askënd tjetër parti opozitare mbi PD-në, madje duhet të jenë të asfiksuara si vetë PD. Duke paraqitur akuzat e stërpërsëritura ndër vite sa herë ka humbur. Paçka se nga padurimi për të gjetur alibi, por dhe për të goditur kundërshtarin politik, përpos daljes nga arresti shtëpiak, i ka rënë dhe alibia e mbështetjes së kësaj mazhorance dhe Ramës nga Sorosi që ‘kishte pushtuar qeverisjen e SHBA’. Tashmë Trump-in e quan ‘vrasësin’ e sorosianëve kudo ku janë, ndërkohë që luftën ndaj Ramës e quan të mbaruar. Kuptohet në bashkëpunim me Trump.
Megjithëse ‘tek tuk’ Berisha i fut ndonjë kompromis të vogël me kundërshtarët politikë sa herë që i ka ardhur rasti. I fundit, për disa ‘arnime’ në Kodin Zgjedhor, teksa sabotoi reformën zgjedhore vetëm e vetëm se kërkonte nga socialistët që të miratohej mbyllja e listave për 1/3 e listës së përgjithshme të kandidatëve për çdo qark. Konfermë që e mori. Kjo listë e mbyllur përmbledh brenda saj të përzgjedhurit e tij, më besnikët për çdo qark që do të dalin automatikisht deputetë sipas votës së dhënë për PD. Që pritet të mos plotësojë as numrat e caktuar brenda korrnizës së listave të mbyllura për çdo qark, jo më të tentojë për të kapur ndonjë deputet në garën e lirë si kandidatë jashtë listës. PD është në ‘rënie të lirë’ dhe jo vetëm që nuk pretendon fitoren, por mund t’i krijojë mundësinë PS në mazhorancë të marrë dhe shumicën kushtetuese mbi 94 mandate. Për të pasur më të lehtë axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE brenda 2030.
Duke qënë se Berishës një grusht me deputetë i duhen në Kuvend sa për të bërë ndonjë zhurmë, zënë podiumin, djegur ndonjë karrige apo thyer ndonjë tavolinë, duke qënë se Berishës i duhet vetëm vula e PD si kryetar i saj dhe logo e kësaj partie, ka nisur dhe goditjen brenda dhe jashtë grupit parlamentar. Duke bërë ‘ushqim’ për mediat e tij, panelet televizive të telekomanduara nga zyra e tij, të gjithë ata që nuk i mendon besnikë të tij. Apo i imagjinon duke u lutur përnatë që Sali Berisha të arrestohet ose larg qoftë të shkojë tek i Plorfuqishmi, për t’i zënë vendin.
Linçimi ka nisur, duke filluar nga kreu i grupit parlamentar të PD Gaz Bardhi e përfunduar tek më i thjeshti. Me sa duket ka vendosur që të pajisë Bardhin e ndonjë tjetër nga këta të rikthyerit me ndonjë mandat deputeti, ndërsa pjesën tjetër po e zvarrit aq shumë, sa është e turpshme për këdo që i sheh duke bërë skena në Parlament, vetëm e vetëm për t’i rënë në sy kryetarit për një vend të sigurtë në listën e kanhdidatëve për deputetë. Për një copë mandati deputeti. Sipas të gjitha gjasave shumica dërmuese e tyre nuk do ta marrin këtë ‘bonus’ nga Berisha. Pavarësisht veprimeve jodinjitoze që do të vijojnë të bëjnë në Kuvend deri në momentin e mbylljes së hesapit të listave të kandidatëve për deputetë.. Do të ketë të sigurtë vetëm besnikët e tij, pikërisht duke filluar nga Flamur Noka.
“Maketin” e listave të ardhshme të kandidatëve për deputetë Berisha e ka dhënë, teksa ka bërë ndryshimet e paraqitur grupet e punës për zgjedhjet e ardhshme në çdo qark. Që nuk lë vend për asnjë parashikim optimist për ata që erdhëm më vonë tek ‘Rithemelimi’ i Berishës. Apo ata që kanë hedhur akuza në drejtim të tij. Nuk harron Berisha asnjëherë. Aq më tepër që pas humbjes në zgjedhje, përpos alibive se ia vodhën votat pasi ‘nuk kishte qeveri teknike’, i duhen vetëm deputetë që të mos kërkojnë largimin e tij nga kryetar i PD. I duhen besnikë. Pas 11 majit 2025 do ta dëgjoni ‘melodinë’ e Bardhit që do dallë pa asnjë mbështetje dhe deputetëve aktualë, që do jenë jashtë Parlamentit. Do jetë vonë për ta, do jenë pa mandat dhe pa dinjitet.
Sa për mbajtjen me ‘gajret’ e militantëve se sapo të ‘fitojë’ zgjedhjet do të merret me lobimin për heqjen e ‘non gratës’ tashmë që ka ardhur president Trump, apo paraqitja e ardhjes së presidentit Trump në SHBA si një ‘erë fituese’ dhe për PD në Shqipëri, këto as vetë Berisha nuk i beson. Thjeshtë i thotë për konsum politik, sa për të kaluar atë momentin e vështirë të parë të humbjes së thellë të zgjedhjeve të 11 majit të vitit të ardhshëm. E di dhe vetë se sa të jetë në krye të PD nuk do të vijë PD kurrë në pushtet. Por ama i duhet vula e partisë, pasi nuk e mendon jetën pa të. Është fiks si ato çiftet traditcionale të martuara në kishë, zbaton me përpikmëri betimin ‘bashkë derisa vdekja të na ndajë”. Berisha ecën nën moton ‘në krye të PD, derisa vdekja të na ndajë”.
Ky është një ‘udhërrëfyes’ për të gjithë ata që presin me padurim që të marrin drejtimin e PD me ikjen e Berishës. Eshtë racë e fortë dhe jeton gjatë Berisha. Ka pirë dhe ujë mali, ndaj duhet të presin gjatë për këtë punë. Berisha aty ka qënë, aty do të jetë, tërë jetën në krye të PD. Jo vetëm që nuk e mendon, as që e imagjinon ndryshe. Aq më tepër që tashmë është një njeri me një barrë halle, dhe në prag të burgut familjarisht! Sa nuk e ka për gjë por të kërkojë dhe ‘kompromis me Zotin”, që ketë jetë të gjatë dhe të jetë në krye të PD. Për të mbrojtur veten e familjen, të cilën nuk e mbrojti kur u ‘pensionua’ në vitin 2013, dhe duhej të kishte parë hallet e tija.