Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kritikoi vendimin e Joe Biden për të falur të birin Hunter në lidhje me akuzat ndaj tij, duke e cilësuar si një “një abuzim dhe një dështim të drejtësisë”.
Trump ngriti pyetjen nëse falja e Hunter përfshin gjithashtu pengjet e 6 janarit të burgosur pas sulmit në Kapitol të vitit 2021. Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do të falë të arrestuarit për këtë çështje.
Presidenti Biden njoftoi faljen presidenciale për të birin mbrëmjen e së dielës. Edhe pse kishte përjashtuar mundësinë e faljes, Biden tha se Hunter ishte “persekutuar në mënyrë selektive dhe të padrejtë”.
Hunter Biden u shpall fajtor në qershor për tre krime lidhur me blerjen e një arme në vitin 2018, kur prokurorët thanë se ai gënjeu në një formular federal duke pretenduar se nuk përdorte në mënyrë të paligjshme drogë. Ai pritej të dilte në gjyq në shtator, nën akuzat se nuk kishte paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa.