Shtetet e Bashkuara njoftuan se i kanë ndarë Ukrainës 20 miliardë dollarë hua, në kuadër të një pakete të mbështetjes prej 50 miliardë dollarësh, për të cilën grupi i vendeve më të industrializuara, G7, ka rënë dakord në verë.

Administrata e presidentit aktual, Joe Biden, ka premtuar se do ta ndajë kredinë përpara fundit të vitit, për shkak të shqetësimeve se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, mund ta ndalë mbështetjen e SHBA-së për vendin në luftë.
Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, ka kritikuar vazhdimisht ndihmat e SHBA-së për të, por ka thënë, gjithashtu, se do të mbështeste një program të huadhënies.

Ukraina është shumë e varur nga ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së dhe Evropës, në luftën e saj kundër pushtimit rus, që ka hyrë tashmë në vitin e tretë.
Një paketë e ndihmës e SHBA-së, në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, ka kaluar në prill, por ka të ngjarë që ajo të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo bën që kredia prej 50 miliardë dollarësh e G7-ës të sigurojë që Ukraina ka fonde dhe armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur gjatë pjesës së parë të vitit 2025, nëse Trump e ndalon mbështetjen e mëtejshme për të.
“Këto fonde – të paguara nga të ardhurat e aseteve të pamobilizuara të Rusisë – do t’i ofrojnë Ukrainës një infuzion kritik të mbështetjes, ndërsa mbrohet kundër një lufte të paprovokuar agresioni”, tha sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen.
Njoftimi për këtë hua vjen pas disa muajsh bisedime midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre – përfshirë Bashkimin Evropian – për mënyrën më të mirë për t’i përdorur asetet e ngrira ruse, me vlerë qindra miliarda dollarë, pa e shkelur ligjin ndërkombëtar.

Thesari tha se Uashingtoni i ka transferuar 20 miliardë dollarë në një fond të Bankës Botërore, e cila do t’i vërë paratë në dispozicion të Ukrainës./ REL