Është I pari shqiptar që ka mbërritur kaq lart. Po flasim për shqiptarë të Shqipërisë, dhe Nelson Hysa mban aktualisht vendin e 12-të në renditjen botërore të peshave të rënda në boksin profesionit në Federatën e famshme, WBO.

Shkodrani 40-vjeçar, që po sfidon moshën, është ftuar në turneun e madh të kësaj federate, të quajtur “Riyadh Season”.
Këto ndeshje, që cilësohen si “finale”, mbahen në një periudhë të caktuar të vitit nga tetori në mars.

Ftesa, siç njofton vetë boksieri, vjen nga promotori më i madh i botës në këtë sport, Frenk Uorren, ndërsa me sponsorizim saudit priten disa ndeshje të mëdha të boksit profesionist, si Fjuri-Usik apo Beterbijev-Bivol.

Hysa, kampion I Europës në fuqi në WBO, do të jetë në 8 shkurt në ringun e Mançesterit në Angli për të mbrojtur titullin kontinental, ndërsa synimi është për t’u ngjitur edhe më lart në renditjen e boksit profesionist.

Shqiptari e fitoi titullin kampion të Europës në Tiranë në 24 korrik të këtij viti me suksesin ndaj gjermanit Fuks, dhe e mbrojti në Angli në 22 nëntor, me fitoren spektakolare ndaj argjentinasit Brakamonte.
Hysa ka 19 ndeshje në peshat e rënda të boksit profesionist dhe I ka fituar që të gjitha, madje 90 për qind të tyre me nokaut.