Një mineral i bllokuar brenda një meteori marsian që ra në Tokë në vitin 2011, ka zbuluar gjurmë uji në Mars që datojnë 4.45 miliardë vjet më parë, sipas një studimi të ri. Kokrra e zirkonit mund të përmbajë dëshmitë më të vjetra të drejtpërdrejta të ujit të nxehtë të lashtë në planetin e kuq. Zbulimi hap mënyra të reja për të kuptuar nëse Marsi ka qenë ndonjëherë i banueshëm në të kaluarën e tij të lashtë. Ai gjithashtu mbështet vëzhgimet e mbledhura tashmë nga flota e anijeve kozmike që rrotullohen rreth planetit të kuq, të cilat kanë pikasur prova se ku kanë ekzistuar dikur lumenj e liqene në sipërfaqen e Marsit.

Por pyetjet kryesore mbeten rreth asaj se kur saktësisht uji u shfaq për herë të parë në Mars, si evoluoi dhe më pas u zhduk. Shkencëtarët analizuan një pjesë nga meteori “Black Beauty”, i njohur gjithashtu si NWA 7034, që u gjet në shkretëtirën e Saharasë në vitin 2011. Meteori u shkëput nga sipërfaqja e Marsit pasi një objekt tjetër qiellor goditi planetin midis 5 dhe 10 milionë vjetësh më parë. Pjesët e këtij meteori kanë shërbyer si një burim kryesor i studimit të Marsit për vite me radhë.

Studimi i ri, i botuar në revistën Science Advances më 22 nëntor, u fokusua në një grimcë të vetme të mineralit zirkon të ndodhur brenda meteorit. Analiza e ekipit tregon se uji ishte i pranishëm vetëm 100 milionë vjet pas formimit të planetit, gjë që sugjeron se Marsi mund të ketë qenë në gjendje të mbështeste jetën në një moment të historisë së tij.

“Të dhënat tona sugjerojnë praninë e ujit në koren e Marsit në një kohë të krahasueshme me provat më të hershme për ujë në sipërfaqen e Tokës, rreth 4.4 miliardë vjet më parë. Ky zbulim ofron prova të reja për të kuptuar evolucionin planetar të Marsit, proceset që ndodhën në të dhe potencialin e tij për të pasur jetë”, tha Jack Gillespie, studiues në Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Lozanës dhe Mjedisi në Zvicër.