Dhjetë shtetas të Kosovës vazhdojnë të jenë nëpër kampe të personave të zhvendosur, apo në qendra të ndalimit në Siri, ndërsa për 70 shtetas të Kosovës në këtë shtet nuk ka informacione për vendndodhjen apo nëse janë gjallë.

Kështu thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), dedikuar terrorizmit në botë, për vitin 2023.
Në pjesën për Kosovën përmendet se Kosova i ka riatdhesuar 121 persona dhe i ka arrestuar 12 shtetas të saj që kanë qenë në Siri. Aty është vlerësuar se, sikurse në të kaluarën, shtetasit e Kosovës vazhdojnë të jenë të cenueshëm ndaj përpjekjeve për rekrutim nga ana e organizatave të dhunshme fetare.

Pas shpërthimit të konfliktit në Siri, më 2011, vlerësohet se rreth 350 kosovarë patën udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut, për të luftuar kryesisht krah grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Personat që janë kthyer në Kosova janë përballur me procese gjyqësore.
Megjithatë, sipas raportit, ndonëse korniza legjislative e Kosovës parasheh ndjekjen penale të të dyshuarve për mbështetje të aktiviteteve terroriste apo pjesëmarrjen në luftërat e huaja, dënimet për kryerje të veprave terroriste janë të buta, me lirime të kusht apo lirime të parakohshme, si dhe mbikëqyrje të çorganizuar pas lirimit.

Në vitin 2015, Kosova e ka miratuar një ligj të posaçëm që sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, ndërsa Kodi Penal parasheh dënime për kryerje të veprave terroriste prej pesë vjet e deri në burgim të përjetshëm.

Zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pas proceseve gjyqësore, rreth 42 të burgosur për pjesëmarrje në luftëra të huaja kanë kaluar nëpër institucionet e tij korrektuese. Aktualisht, në institucionet korrektuese ndodhen shtatë prej tyre.

Në raportin e DASH-it përmendet se prej majit të vitit 2023, Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara (FBI) ka angazhuar një këshilltar për kundërterrorizëm që të mbulojë rajonin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Agjentë të FBI-së është thënë se kanë marrë pjesë në takimet e task-forcës kundërterrorizmit dhe kanë ofruar këshilla përgjatë hetimeve.

Aty përmendet po ashtu se Qeveria e Kosovës ka punuar në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar në përpjekjet kundërterrorizmit më 2023, dhe që e ka miratuar strategjinë e shumëpritur dhe planin e veprimit për luftim dhe parandalim të terrorizmit, për periudhën 2023-28, të katërtën qysh prej pavarësisë.

Sa u përket incidenteve terroriste që kanë ndodhur në Kosovë më 2023, në raport është përmendur që pas sulmit të 29 majit të atij viti të serbëve kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, autoritetet e Kosovës kanë shpallur Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile si organizata terroriste.

Është përmendur edhe sulmi në Banjskë të Zveçanit, i kryer më 24 shtator, si pasojë e të cilit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kosova fajëson Serbinë për organizim dhe kryerje të sulmit, ndërsa Beogradi mohon gjithçka./REL