Gjykata Kushtetuese në Shkup nuk votoi sot, por vendosi që të ketë seancë përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në të cilën do të marrin pjesë ekspertë të fushës si edhe përfaqësues të partive politike, e ku të gjithë të mund të paraqesin argumentet e tyre.

Propozimi erdhi nga gjykatësja përgjegjës për çështjen, Elizabeta Dukovska. Se kur do të mbahet takimi përgatitor, kjo nuk dihet ende.

Në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, ndërsa gjykatësi Fatmir Skender u largua pasi nuk u pranua propozimi i tij që seanca e sotme të anulohej.

Forca të shumta policore rrethuan këtë mëngjes Gjykatën ku pritej të bëhet sot vlerësimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit mbi përdorimin e gjuhëve. Në prag të saj BDI-ja, nisi një të ashtuquajtur “roje për gjuhën” me prezencë 24 ore përpara Gjykatës, me argumentin se po qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.

Në një atmosferë të tensionuar politike, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut u mblodhën për te shqyrtuar kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për gjuhët, i cili u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi një vit më vonë. Ligji për gjuhët parashikon përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2. Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp të martën se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.

“Ne si VLEN thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeminsitri, si dhe kryetarja e shtetit”, tha Mexhiti.
Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

BDI-ja ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ligji mund të bëhet i pazbatueshëm.