Inxhinieri shqiptar që punon në Vjenë, Besmir Semanaj ka komentuar reagimet e ashpra të deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur për një vit TikTok-un, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.

Semanaj përmes një reagimi në rrjetet sociale shkruan se i kanë bërë shumë përshtypje reagimet e deputetëve demokratë, pasi 90% e tyre nuk kanë fare llogari në këtë rrjet.

Ai i këshillon deputetët që kur të vendosni të bëjnë politikë dhe të flasin për një rrjet social, të konsultohen ose të paktën të hapin një llogari për të parë se çfarë ndodh aty.

”Pas vendimit për mbylljen e TikTok-ut, më bëri shumë përshtypje reagimi i Partisë Demokratike dhe pretendimi për censurë të fjalës së lirë si dhe ndikimin në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo më nxiti të bëj një kërkim në këtë platformë, dhe rezulton që 90% e drejtuesve të lartë dhe kryesisë së PD-së ose nuk kanë fare llogari në këtë rrjet, ose numri i ndjekësve të tyre është i barabartë me anëtarët e familjes që mund të kenë. I vetmi me TikTok dhe numër të lartë ndjekësish është z. Berisha, i cili ka pothuajse 3 herë më pak ndjekës se Rama.

Kur të vendosni të bëni politikë dhe të flisni për një rrjet social, konsultohuni ose të paktën hapni një llogari për të parë se çfarë ndodh aty”, shkruan ai në facebook.