Nga Mero Baze/
Ka shumë kritika ndaj partive të reja të krijuara së fundmi që do garojnë në zgjedhjet e majit. Shumica i akuzojnë ato për mentalitet të vjetër dhe lidhje konspirative me dy partitë kryesore.
Paragjykimi i tyre është i padrejtë, por është e vërtetë se në sjelljet e tyre ka diçka jo origjinale, apo më mirë të themi imitim të disa veseve të liderëve të fortë të Shqipërisë.
Rasti i Agron Shehajt në Kuvend e riktheu këtë debat.
Fillimisht, mendoj se partitë e reja nuk janë krijime të partive të vjetra shqiptare. Asnjë prej tyre nuk është krijuar nga PD apo PS për t’i pasur si satelitë. Kjo madje nuk ka qenë kurrë ndonjë praktikë e partive të mëdha në Shqipëri. Ato nuk kanë krijuar parti të vogla, por i kanë kapur ato rrugës në përpjekje për të mbijetuar politikisht. Sistemi i mëparshëm elektoral, me koalicionin e përbërë, ku çdo parti e vogël mund të hynte në koalicion me një parti të madhe me listën e vet, ua mundësonte këtë luks.
Tani ky sistem ka rënë dhe partitë e mëdha natyrisht që bezdisen nga partitë e vogla, pasi nuk i përdorin dot për vota, por thjesht mund t’u heqin ndonjë votë.
Në rastin e opozitës, meqë të gjitha partitë e reja janë opozitare, PD bezdiset sidomos nga ideja që ekzistenca e partive të vogla mban gjallë frymën e përçarjes së opozitës apo më mirë të themi, vdes propagandën e Berishës për “opozitë të bashkuar” apo për “opozitë të vetme”.
Nga ana tjetër, këto ide qesharake, që partitë e reja kanë pasur lidhje me Sorosin apo me Berishën, janë po aq qesharake dhe tregojnë që kritikët e tyre janë shumë më mendjembyllur sesa ata që kritikojnë.
Unë njoh për shembull, një rast që ka 30 vjet që jeton vetëm me projekte të financuara nga fondacioni Soros, Fatos Lubonjën, dhe gjysmën e ekipit të Syri TV, por askush nuk i pengon të jenë me Berishën dhe nuk i paragjykon njeri. Kjo puna e financimit të Sorosit u kujtohet vetëm atyre që nuk janë me Berishën, se atyre që janë me Berishën u quhet meritë intelektuale. Më gjeni një libër, revistë apo artikull të Fatos Lubonjës që nga 1991 që nuk është financuar nga fondacioni Soros, përveç daljeve në ekranin e Irfanit? Asnjë. Por kjo nuk do të thotë që ato që ka shkruar ai nuk kanë vlerë.
E njëjta histori është edhe me ata që sulmojnë partitë që kanë dalë nga Berisha, duke u kujtuar krijuesve të tyre se kanë qenë vegla të Berishës. Si mund të akuzosh, fjala vjen, Agron Shehajn që ka qenë “vegël e Berishës”, kur përplaset fizikisht me Flamur Nokën, kryeveglën qesharake të Berishës, dhe të krijosh dyshime se meqë zihet me kryeveglën, dhe ky ka qenë vegël? Atëherë i bie të kesh respekt për ata që vazhdojnë të qëndrojnë vegla të Berishës.
Pra është e qartë nga vijnë këto sulme.
Po nga çfarë vuajnë realisht partitë e reja?
Mendoj që vuajnë nga imitimi i stilit politik të partive të vjetra. Ende deri tani nuk kam parë asnjë nga të rinjtë që të mos ëndërrojë të jetë udhëheqës populist duke këputur broçkulla me një mungesë respekti të thellë për shifrat dhe të vërtetën.
Fjala vjen, kisha një besim se Agron Shehaj, meqë vjen vetë nga biznesi, do të ishte më serioz në sulmet ndaj qeverisë për korrupsionin. Dhe nuk është se nuk ka beteja serioze. Por rasti i rrugës Thumanë-Kashar, që ai tentoi ta konsiderojë korrupsion madhor, në fakt është i vetmi model antikorrupsion që ai duhet të përdorte kundër qeverisë. Për ata që nuk janë të qartë, ajo është një rrugë e ndërtuar në kohë record, për dy vjet, nga një investitor privat, Bashkim Ulaj i “Gener 2”. Rruga, përveçse është ndërtuar shpejt dhe mirë, ka nxjerrë në treg çmime të ndryshme nga ato të qeverisë në ndërtimin e rrugëve dhe ka futur për herë të parë me sukses në tregun e ndërtimit publik bankat e nivelit të dytë. Pra kemi një rrugë të bërë me lekët e një kompanie, financuar nga bankat dhe jo nga qeveria. Nuk është 1.3 miliardë euro sa thotë Agroni, por as 100 milionë, dhe janë paratë e tij.
Ky është rasti kur një politikan që vjen nga biznesi duhet të bënte diferencën me politikanët që çdo koncesion apo tender e quajnë vjedhje dhe çdo investim e quajnë mashtrim. Dhe ky është një refren që shkakton lodhje në opinionin publik kur i dëgjon.
Nga ana tjetër, partitë e reja duhet të shkëputen nga sindromi i “aleancës Berisha-Rama” kundër tyre. Duhet të shkëputen jo vetëm se nuk është e vërtetë që ka ndonjë aleancë kundër tyre, por edhe sikur të ketë, nuk është beteja e tyre.
Duke u thënë shqiptarëve që Berisha me Ramën janë në aleancë me njëri-tjetrin që Berisha të rrijë në opozitë dhe Rama në pushtet, vetëm sa dëshpërojnë elektoratin. Atyre nuk u prishet asnjë punë, vetëm forcohen, ndërsa këta dobësojnë veten.
Duke hyrë tek kjo teori konspiracioni, ata i ngjajnë shumë kritikëve të tyre konspiracionistë që i lidhin disa me Sorosin, disa me Berishën, pa pikë lidhje.
E shkuara e drejtuesve të rinj politikë nuk është gjithmonë arsye për t’i sulmuar ata përjetësisht. Dikush ka qenë me Berishën, dikush me Ramën, dikush ka punuar me oligarkë, dikush ka qenë vegël e tyre, apo afër tyre, por fakti që kanë dalë më vete tregon se nuk janë pengje të tyre.
Problemi është të mos imitojnë ata, kur flasin apo kur bëjnë politikë populiste, sikur këtu gjithçka është keq dhe po vijnë ata të kthejnë shpresën. Fjala vjen, atë Lapajn unë nuk arrij ta dëgjoj dot një minutë, pasi më duket nga çasti në çast se do qëllojë me grusht atë me të cilin flet, duke ulëritur, a thua se po ngriti zërin më mbush mendjen dhe po sulmoi gjithë të tjerët, më duket më i miri.
Madje kjo është dhe sëmundja e përbashkët e gjithë të rinjve: sulmet dhe mosbesimi ndaj njëri-tjetrit.
T’i dëgjosh kur sulmojnë njëri-tjetrin apo kur sulmojnë gazetarë dhe politikanë të vjetër, të duken si Sali Berisha i viteve ’90.
Merreni më qetë, djema. Për llafazanë, baltosës dhe njerëz që nuk kanë respekt për asnjë të vërtetë kemi Sali Berishën. Nuk e konkurroni dot.
Për oratori, për të qenë në qendër të vëmendjes së shtypit dhe për të pasur një PR ndërkombëtar nga më të mirët e historisë së Shqipërisë kemi Edi Ramën. Nuk e konkurroni dot.
Shikoni, bëjini vend vetes me profilin tuaj origjinal, me pak më shumë realizëm, me pak më shumë qetësi, se nuk kemi nevojë për liderë të çmendur. I kemi pasur me shumicë dhe kur flisnin me zë të ulët.
Bëhuni vetvetja dhe mos imitoni Berishën, Ramën, Nanon apo Metën, se nuk ia dilni dot. Ata e kanë bërë vetë historinë e tyre, pa imituar askënd. Nëse doni një vend në këtë histori të politikës, bëni dhe ju historinë tuaj. Nuk na duhen kopjet, sa kohë kemi gjallë ata që janë origjinalë.