Moska synon të pushtojë tërësisht rajonet ukrainase e Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhizhia deri në vitin 2025. Paralajmërimi ka ardhur nga Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov gjatë një takimi në ministri, duke përsëritur angazhimin e Rusisë për të arritur ato që ai i përshkroi si “objektivat e shpallura nga Presidenti Vladimir Putin në qershor”.
“Në vitin 2025, Moska pret të arrijë fitoren në luftë”, shtoi Belousov, duke nënvizuar nevojën që Rusia të përgatitet për konflikte të mundshme me NATO-n në dekadën e ardhshme. Zyrtari i lartë rus ka bërë të ditur se “Përgatitja për luftë në vitet e ardhshme tregohet nga vendimet që u morën në samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut të mbajtur në korrik të këtij viti”.
“Kjo pasqyrohet edhe në dokumentet doktrinore të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s. Në atë samit në korrik, Ukraina mori 43 miliardë dollarë financim dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, marrëveshje të reja dypalëshe të sigurisë, si dhe një premtim se rruga e saj drejt anëtarësimit është “e pakthyeshme”.
Nga ana e tij, Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se më shumë se 100,000 trupa amerikane janë vendosur në Evropë, duke denoncuar rritjen e pranisë ushtarake aleate në kufijtë rusë. Për këtë arsye, njoftoi ai, Moska do të nisë “së shpejti” prodhimin masiv të raketave balistike hipersonike Oreshnik, të testuara më 21 nëntor në Ukrainë. “Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme në çdo rajon të botës – kërcënoi ai – Rusia do të bëjë të njëjtën gjë”. Putin denoncoi gjithashtu dërgimin e mercenarëve dhe instruktorëve ushtarakë në Ukrainë, me të cilat, sipas tij, Uashingtoni po promovon hapur “një përshkallëzim të konfliktit”.
Sakaq, Ukraina ka bërë të ditur se posedon një armë lazer të aftë për të rrëzuar objektivat ajrore në një lartësi prej më shumë se 2 kilometra. Këtë fakt e ka bërë të ditur komandanti i forcave të dronëve të vendit. Zyrtari ushtarak, Vadym Sukharevskyi, nuk dha më shumë detaje në komentet e tij të para zyrtare për ekzistencën e armës.