Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e DASH për shpalljen e kreut të SPAK Altin Dumani, si 1 nga 10 kampionët në luftën kundër korrupsionit në botë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasada e SHBA riafirmon angazhimin për të mbështetur heronj të tillë dhe për të përmbushur vizionin e një qeverisjeje të mirë, bazuar në integritet dhe transparencë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Reagimi i plotë:

Korrupsioni gërryen qeverisjen demokratike, minon besimin në qeveri dhe pengon zhvillimin, prandaj Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare. Që nga miratimi i Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit (UNCAC) dhe ratifikimi nga SHBA, Shtetet e Bashkuara kanë qenë lider në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara themeluan Çmimin e Kampionëve kundër Korrupsionit në vitin 2021 për të vlerësuar individët që kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të shfaqur solidaritetin e SHBA me këta partnerë heroikë. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre.

I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit. Të vlerësuarit e këtij viti janë Jorge Mora Cortes nga Kolumbia, Matrika Dahal nga Nepali, Altin Dumani nga Shqipëria, Srbuhi Galyan nga Armenia, Carl Irani nga Libani, Marr Nyang nga Gambia, Javier Enrique Caraballo Salazar nga Panamaja, Didar Smagulov nga Kazakistani, Jimmy Spire Ssentongo nga Uganda dhe Sevinj Vagifgizi nga Azerbajxhani.

Ne jemi të nderuar të punojmë përkrah kampionëve si këta për të mposhtur korrupsionin. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.