Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama dha një intervistë mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Opinion”. Një nga pyetjet ishte nëse është rritur pasuria e saj, pasi ishte bashkëshortja e kryeministrit Edi rama. Duke e mohuar, ajo tha se është një person që punon dhe sipas të drejtave të saj dhe paguhet.
“Po më pyesni mua nëse kam shtuar pasuri si bashkëshortja e kryeministrit dhe unë po ju them “Jo”. Unë jam njeri që punoj dhe kush punon paguhet, edhe kryeministri është njeri që punon. Në të gjitha të drejtat dhe konventat, thuhet se për punë të barabarta, pagesa duhet të jetë e barabartë dhe kjo u takon grave. Më keni ftuar mua këtu dhe sapo thashë që jam në distancë të plotë me pushtetin. Në të njëjtën mënyrë po ju them që është e pamundur që të shtohet pasuria e dikujt, sepse ka një funksion publik. Shumë punë që i bëja më parë, nuk i bëj më, ekspertiza, këshillime, vlerësime sepse kam gjykuar se këto nuk duhen bërë sepse kanë hyrë në filtrin tim të seleksionimit. Të ardhurat e mia personalisht nga puna dhe ekspertiza janë ulur ndjeshëm dhe për shkak të këtij filtrimi që bëj për të mos marrë përsipër punë që mua nuk më qëndrojnë nga pikëpamja etike. Sa paguhem unë në vit dhe të ardhurat tona janë online, mund t’i dijë gjithkush që është i interesuar për të kuptuar se çfarë të ardhurash financiare kemi në një vit. Marrim dhe punojmë mjaftueshëm për të bërë një jetesë si shtresë e mesme e sigurt”, u shpreh Linda Rama.
Gruaja e kryeministrit foli edhe për ndikimin që mund të ketë ajo në vendimmarrjet e rëndësishme të kreut të qeverisë. Sipas saj, “vendimet janë institucionale dhe të ndara me të gjithë spektrin e vendimmarrësve politikë dhe administrativ”.
“Që në fillim e kam ndarë profilin tim dhe i kam qëndruar, që do të kem një distancë të plotë nga pushteti i Edit. E mbaj në mënyrë të përditshme, sepse e besoj, sepse duhet. Është ajo që populli kur ja jep votën e vet, nuk ja jep në kolektivin familjar, por atë politik. Unë nuk jam vartësja e Edit, këshillimi është institucional, por ka një terren ku mundet gjithkush të gjejë mënyrën që të japë argumentet. Ka fenomene dhe ngjarje që do doja t’i transmetoja, e gjej momentin, sepse ka ngarkesë të jashtëzakonshme sepse është kryeministër”, u shpreh ajo.
Linda Rama theksoi se gjëja më e madhe që ka fituar është djali i saj Zaho dhe Avi, djali i vajzës së saj, Reas.