I dërguari i posaçëm i Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, ka bërë komente kritike për sulmin ndaj gjeneralit rus Igor Kirillov. Në një intervistë për median amerikane, Fox Business, Kellog tha se lufta ka rregulla dhe se disa gjëra nuk duhen bërë.
“Ka rregulla në luftë, dhe ka disa gjëra që thjesht nuk duhet t’i bëni. Nëse një gjeneral në fushën e betejës është një objektiv legjitim, një sulm i shënjestruar mbi personat që nuk janë drejtpërdrejt në fushën e betejës përfaqëson një shkelje të këtyre rregullave. Nëse ju vrisni gjeneralët në qytetin e tyre ju jeni duke zgjeruar konfliktin”, tha Keith Kellogg, i dërguari i Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën.
Zyrtari i lart amerikan e përshkroi sulmin si “jo të zgjuar”, por gjithashtu theksoi se nuk e konsideronte atë një pengesë ushtarake. “Nëse punëson një mercenar për ta bërë këtë, nuk mendoj se kjo është një ide e mirë,” tha ai. “Por kjo është luftë. Dhe lufta është e shëmtuar”, tha ai.
Kirillov u vra nga një mjet shpërthyes në Moskë të martën. Kreu i forcave të armatosura ruse kishte fituar famë në kryeqytetin rus për shkak të akuzave të tij në media kundër Kievit dhe Uashingtonit për mirëmbajtjen e laboratorëve për prodhimin e armëve biologjike në Ukrainë, por edhe për planet e supozuara për të hedhur të ashtuquajturat armë të pista, ose ato radioaktive. Ai u akuzua se ishte i përfshirë në përdorimin e agjentëve të luftës kimike kundër ushtarëve ukrainas.
Trump, i cili do të betohet për një mandat të dytë më 20 janar, ka premtuar se do t’i japë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Republikani deri më tani e ka lënë të hapur se si dëshiron konkretisht ta arrijë këtë.
Kellogg, i cili tashmë ka mbajtur poste të ndryshme gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë, ka të ngjarë të luajë një rol kyç në projekt. Sipas raportimeve të mediave amerikane, ai ka paraqitur një plan që do të ngrinte vijën e frontit dhe do të detyronte të dyja palët të negociojnë.