Fillimisht ishte dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar të Gianluca Scamacca-s, pastaj dëmtimi muskulor i Mateo Retegui-t, i cili kishte mbërritur në verë pikërisht për ta zëvendësuar atë.
Atalanta po përballet sërish me një problem në sulm dhe, në prag të merkatos së janarit, klubi po punon për t’i ofruar Gasperinit një sulmues qendror që mund të ndihmojë ekipin e tij të vazhdojë garën për titullin e Serisë A.
Sipas “Sportmediaset”, në orët e fundit është përmendur emri i Joshua Zirkzee edhe për Atalantën. Holandezi, i cili tek United nuk ka pasur një fillim të mirë, mund të transferohet me një marrëveshje huazimi, me mundësinë për të negociuar shitjen në qershor.
Për Zirkzee-n janë të interesuar edhe Juventusi dhe Napoli, por Atalanta mund ta provojë gjithsesi.
Përveç Zirkzee-së, janë përmendur edhe emrat e Marko Arnautovicit, i cili pritet të largohet nga Interi, por duket se Torino është në avantazh për të, dhe Beto nga Evertoni, ish-lojtar i Udinese-s, që e njeh mirë Serinë A dhe ishte shqyrtuar si opsion gjatë verës.
Një tjetër alternativë është Giovanni Simeone, i cili nuk po gjen shumë hapësira te Napoli me Antonio Conte-n.
Megjithatë, Conte nuk duket i gatshëm të lërë të lirë lojtarët e tij, veçanërisht ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për titullin.
E njëjta situatë vlen edhe për Giacomo Raspadori-n, i cili ishte objektiv konkret për Atalantën në ditët e fundit të gushtit, por marrëveshja nuk u realizua për shkak të mosmarrëveshjeve ekonomike me Napolin.
Sulmuesi i Napolit ka shprehur dëshirën për të luajtur më shumë dhe ditët e fundit është rikthyer si një opsion i mundshëm.
Negociatat me klubin e De Laurentiis mund të rinisin, ndoshta duke përfshirë në marrëveshje edhe një mbrojtës.