Në qendër të vëmendjes mund të jetë Bashar al-Assad dhe gruaja e tij, Asma, por këta nuk janë të vetmit e familjes që lidhen me mizoritë e regjimit. Edhe anëtarët e tjerë të familjes që sunduan vendin e Lindjes së Mesme janë të njohur për terrorin që kanë ushtruar tek qytetarët e vendit të tyre. Siç vë në dukje Daily Mail, mbështetja për Bashar al-Assad, që kur ai u detyrua të pasonte në “fron” babain e tij, ka qenë “e palëkundur”. Mbështetës të tij ishin e ëma, motra e tij, e quajtur “Zonja e Hekurt”, si dhe kunati i tij, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e ish-kryeministrit në Liban, Rafiq Hariri.

Nënë e pamëshirshme, Anissa Maklouf

Anissa Makhlouf, e veja e ish-presidentit sirian Hafez al-Assad dhe nëna e Bashar al-Assad, ishte zonja e parë e Sirisë nga viti 1971 deri në 2000. Ajo vdiq në moshën 86-vjeçare më 16 shkurt 2016. Edhe pse ajo mbajti një profil të ulët, Makhlouf besohet se ka qenë personi që ka thënë “fjalën e fundit” për të gjitha çështjet brenda familjes Assad.

“Vendimet merren kolektivisht në rrethin e ngushtë të familjes, por fjalën e fundit e ka Anissa,”- tha një anëtar i opozitës siriane në mërgim. Edhe pse regjimi i Asadit kishte formësuar me kujdes profilin publik të Maklouf, analistët besojnë se ajo luajti një rol të rëndësishëm në prapaskenë. Disa madje e lidhin atë me shtypjen brutale të regjimit ndaj protestave pro-demokracisë në vitin 2011.

Dhëndri mizor i familjes, Assef Shawkat

Gjenerali Shawkat ishte një oficer alavit, i cili u martua me motrën e Bashar al-Assad, Busra, në vitin 1995. Edhe pse fillimisht u refuzua nga familja Assad, ai më vonë arriti të fitonte besimin e tyre nëpërmjet miqësisë që zhvilloi me presidentin e Sirisë. Shawkat shërbeu si shef i Shërbimit Informativ Ushtarak, më pas si zëvendës shef i Shërbimit Informativ Ushtarak dhe më vonë si shef i Shërbimit Informativ Ushtarak deri në vitin 2005. Së bashku me vëllain e Bashar al-Assad, Maher, Shawkat u bë një nga tre figurat më të rëndësishme në rrethin e brendshëm të sigurisë së familjes Asad.

Ish-zëvendëspresidenti sirian Abdul Halimi Khaddam e kishte përshkruar atë si “një oficer inteligjent, të kulturuar dhe të guximshëm me ambicie të mëdha”.

Një pikë e zezë në historinë e tij është përfshirja e tij e supozuar, së bashku me Maher al-Assad, në vrasjen e kryeministrit libanez Rafik Hariri në 2005. Shawkat u cilësua si i dyshuari kryesor në një raport paraprak të OKB-së për vrasjen e Haririt në një sulm terrorist në Bejrut më 14 shkurt. Në vitin 2006, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e sanksionoi atë për orkestrimin e atentatit, duke e përshkruar atë si “arkitektin kryesor” të okupimit sirian të Libanit.

Shawkat ishte një oficer në grupin famëkeq paraushtarak të “Defense Company” dhe besohet të ketë qenë figura që fshihej pas shumë prej operacioneve të regjimit të Asadit jashtë Sirisë përpara se të vdiste gjatë një sulmi me bombë në selinë e zyrës së sigurisë kombëtare më 18 korrik 2012. Vdekja e tij, pastaj së bashku me dy anëtarë të tjerë të rrethit të brendshëm të Asadit i dha një goditje të fortë pretendimeve të Assadit për të mbajtur pushtetin.

“Zonja e hekurt” dhe motra e Asadit, Bushra

Bushra, 64 vjeç, dikur ishte një nga gratë më të kërkuara në Damask. Pasi u dashurua me Shawkat, ajo anuloi fejesën e saj me ministrin e inteligjencës të Sirisë dhe mjekun personal të babait të saj, Muhsin Belal. Ashtu si vëllai i saj, Maher, ajo konsiderohet një “skifter” e regjimit të Assadit, duke luajtur një rol të rëndësishëm si sekretare e Basharit.

Busra al-Assad konsiderohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë farmaceutike të Sirisë. Por po ashtu, përflitet se ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me gruan e Asadit, Asma, e cila prej kohësh e ka penguar atë të marrë titullin e “zonjës së parë” të Sirisë.

Motra e Bashar al-Assad ishte gjithashtu kundër daljeve të shpeshta publike të kunatës së saj, pasi ajo nuk i miratonte lëvizje të tilla.

Pas vdekjes së burrit të saj, Bushra u largua nga Siria për të jetuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me pesë fëmijët e saj.