Të mbijetuarit e masakrave ndaj civilëve në kohën e luftës së Kosovës ende vuajnë traumën, kurse familjarët e të zhdukurve presin të dinë për fatin e tyre. RYCO dhe DW sjellin reportazhin e “Transmentuesve të Paqes”.

Zhdukja e mijëra personave dhe masakrat mbi popullsinë civile që ndodhën gjatë Luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 mbeten një nga çështjet më tragjike dhe të pazgjidhura të këtij konflikti. Shumë familje akoma kërkojnë drejtësi për përgjegjësit e masakrave dhe informacion për fatin e familjarëve të tyre të zhdukur.

Rexhë Kelmendit nga Kosova orët e para të mëngjesit i rikthejnë kujtimet e ditës më të tmerrshme të jetës së tij. Rexha, është një nga të mbijetuarit e Masakrës së Qyshkut në Pejë, e kryer nga forcat serbe më 14 maj të vitit 1999, ku u vranë 44 civilë të paarmatosur.

“Çdo mëngjes kur zgjohem herët, më kujtohet ajo ditë, kur u detyruam të iknim me nxitim”, thotë Kelmendi, me duart që i dridhen nga kujtimet e trishta. Kelmendi dhe burrat e tjerë u ndanë nga forcat serbe në tre shtëpi, u qëlluan me armë dhe më pas shtëpitë u dogjën. Dritarja e vogël e shtëpisë, ku Rexha ndodhej me nëntë persona të tjerë u bë shpëtimi i tij atë ditë.

“Na shtynë afër murit dhe, kur hymë në korridorin e asaj shtëpie, një serb më goditi. Kur u përkula për ta marrë shkrepësen që më ra në tokë, ai qëlloi me automatik mbi turmën, duke vrarë të gjithë. Unë, duke qenë i përkulur, shpëtova dhe përmes një dritareje të vogël u hodha jashtë dhe mbijetova”, kujton atë ditë Kelmendi.

Indinjatë tek të mbijetuarit

Për Masakrën e Qyshkut të Pejës së vitit 1999, Gjykata e Lartë në Beograd dënoi shtatë ish-anëtarë të Njësisë 177 të Forcave Territoriale të Ushtrisë Jugosllave, të njohur si Çakejt’. Dënimet, që u shqiptuan nga 20 vite deri në dy vite burg për vrasësit, janë të pamjaftueshme për Rexhë Kelmendin. “Nuk e mbaj mend sa herë kam dëshmuar. Jam i zemëruar. Nuk e kuptoj pse këto organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk bëjnë asgjë. Duhet të ngrenë zërin dhe të na mbrojnë, sepse, ne nuk jemi fajtorë; ata janë fajtorët”, thotë i mbijetuari Kelmendi.

Një tjetër i mbijetuar Erzen Lushi, gjithashtu ka mbamendje të freskët nga Masakra e Qyshkut të Pejës. Në atë kohë Erzeni ishte 16-vjeçar. Ai u urdhërua nga ushtarët serbë të mbledhë para nga banorët dhe t’ua dorëzojë atyre. “Ishte një ditë e tmerrshme. Ata filluan të ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i frikësuar me të shtëna armësh. Ishin rreth 70 prej tyre”, thotë Erzeni. Ai kujton se forcat serbe njëherë urdhëruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri me traktorë, por më pas dhanë urdhrin tjetër që të ktheheshin në Qyshk.

Kur u kthyen, Erzeni mësoi se babai i tij, Osmani, xhaxhai dhe burrat e tjerë të fshatit ishin vrarë. “U kthyem në shtëpi pa e ditur fatin e burrave të fshatit. Të nesërmen mësuam se ata ishin ndarë në tri shtëpi, ishin qëlluar me armë dhe shtëpitë ishin djegur”, thotë Erzeni. Sipas tij, është një mrekulli që nga secila prej tre shtëpive ku u kryen masakrat, nga një dëshmitar mbijetoi për të treguar se çfarë ndodhi atë ditë në këtë fshat të Kosovës.

Dënimi i Çakejve i pamjaftueshëm

Erzeni vetë ka dëshmuar tri herë në Gjykatën e Beogradit gjatë gjykimit kundër grupit “Çakejt”. “Në Beograd, procesi shkoi si në një shtet që mbron kriminelët e tij. Ata u dënuan sepse, kryen vrasje me urdhër të shtetit serb. Dënimet ishin shumë të vogla për një masakër kaq të madhe”, thotë Erzeni.

Avokati kosovar Ardian Bajraktari, shprehet se dënimet nga gjykata e Beogradit për rastin e Qyshkut, ishin jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me krimet e kryera. “Dënimet për ata përgjegjës për krime lufte nga gjykatat e shtetit serb, në përgjithësi, dhe veçanërisht për pjesëmarrësit në këtë masakër, janë jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me peshën e krimit dhe pasojat e tij”, thotë avokati Bajraktari. Kjo me të drejtë sipas tij, shkakton “indinjatë te të mbijetuarit e këtyre masakrave dhe familjet e të vrarëve dhe të masakruarve. Kjo nuk mund të quhet drejtësi”, shton ai.

Gjykimi për Masakrën e Qyshkut filloi në vitin 2010 në Beograd dhe zgjati rreth katër vjet. Vendimi i parë u mor në vitin 2014, por një vit më vonë Gjykata e Apelit e Serbisë e rrëzoi atë, duke e kthyer çështjen për rigjykim. Në vitin 2014, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakejt” me 56 vite burg për vrasjen e 118 civilëve shqiptarë në rrethinën e qytetit të Pejës në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq. Nga të dënuarit, Toplica Milladinović mori dënimin maksimal prej 20 vitesh, Predrag Vuković u dënua me 13 vite, Abdullah Sokiq me 12 vite, Sinisha Mišić me pesë vite, ndërsa Lazar Pavlović, Slavisha Kastratović dhe Boban Bogićević me nga dy vite burg secili. Masakra e Qyshkut konsiderohet që është një nga masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fati i të zhdukurve ende nuk dihet

Mbi 13 mijë persona u vranë në luftën e Kosovës. Mbi 800 mijë njerëz u dëbuan prej shtëpive të tyre nga forcat serbe. Mbi 400 mijë prej tyre vetëm në vendin fqinjë, Shqipërinë. Pas përfundimit të luftës shumica e të zhvendosurve u kthyen në shtëpitë e tyre. Një nga pasojat më të rënda të luftës ishte edhe numri i madh i njerëzve që u zhdukën pa lënë gjurmë. Shumë prej tyre u ndaluan në vende të fshehta, u vranë dhe u varrosën në varreza masive, si brenda Kosovës ashtu edhe në Serbi.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), rreth 1,640 persona akoma rezultojnë të zhdukur, fatin i të cilëve akoma nuk dihet. Një nga rastet e të zhdukurve është ai i Bajram Mutishit, një babai me 10 fëmijë, i cili u zhduk gjatë luftës. Në vitin 1999, familja e tij emigroi në Itali, por ai qëndroi në Kosovë. Që atëherë, familjarët e Mutishit, nuk kanë pasur asnjë informacion për fatin e tij.

I biri i Bajramit, Jonuz Mutishi, kujton bisedën e fundit që pati me të atin. “Para luftës, ne u larguam nga Kosova dhe shkuam në Itali. Babai nuk deshi të vinte me ne; ai dëshironte të qëndronte në Kosovë, sepse kishte një punë. Në atë kohë, rrallë flisnim në telefon, sepse metodat e komunikimit nuk ishin siç janë sot. Që nga viti 1999, kemi humbur çdo kontakt me të dhe nuk kemi mësuar asnjë informacion për fatin e tij”, rrëfen Jonuzi. Në përpjekje për të mësuar për fatin e babait, Jonuzi nga gojëdhëna të ndryshme, mori informacion të pakonfirmuar se babai i tij mund të jetë diku në veri të Shqipërisë i zhvendosur me valën e refugjatëve nga Kosova në vitin 1999.

“Morëm informacion se ai mund të ishte në qytetin e Shkodrës, ndaj unë nga Franca ku tash jetoj prej disa vitesh, vajta në Shkodër për ta kërkuar. Nëna dhe vëllai im jetojnë në Itali dhe nuk flasin mirë shqip. Kur shkova në Shkodër, disa tregtarë nga Podgorica e Malit të Zi, më thanë se e kishin takuar babanë tim vite më parë. Gjithashtu, bëmë një raportim në polici, por askush nuk më ka dhënë përgjigje”, thotë Jonuzi. Ai shpjegon se e ëma e tij i kishte dërguar një letër organizatës ‘Kryqi i Kuq’, që mblidhte evidenca për të zhdukurit e luftës së Kosovës. “Ajo i dërgoi një letër, por ata iu përgjigjën se ai nuk është gjetur, as i gjallë dhe as i vdekur”, rrefen Jonuzi, ndonëse shpresa nuk i shuhet se babai i tij, Bajram Mutishi, mund të jetë ende gjallë. Jonuzi mban gjithnjë më vete një fotografi të vjetër të babait të tij.

Rastet më të vështira për t’u zbuluar janë ato raste ku nuk ka informacione të sakta dhe ku familja e të zhdukurit nuk është e qasshme. Një rast i tillë mund të konsiderohet edhe rasti i Bajram Mutishit, për të cilin nuk ka informacione të sakta për lokacionin e zhdukjes, as për datën e zhdukjes, thotë aktivisti që angazhohet për mbi dy dekada për çështjen e të zhdukurve Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës.

Fati i të zhdukurve pjesë e dialogut Kosovë-Serbi – rezultatet më shumë në letër

Të zhdukurit shumica e tyre janë shqiptarë etnikë, por në mesin e tyre ka edhe serbë, romë dhe pjesëtarë të të komuniteteve tjera, fati i të cilëve akoma nuk dihet. Kërkimi për personat e zhdukur nga Lufta e Kosovës mbetet thelbësor, jo vetëm për të zbuluar të vërtetën, por edhe si pjesë e procesit më të gjerë të shërimit për familjet dhe komunitetet e prekura nga konflikti.

Çështja e personave të zhdukur edhe 25 vjet pas luftës, është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, një përpjekje për të mësuar për fatin e të zhdukurve. Udhëheqësit e dyja vendeve në maj të vitit 2024, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit ku u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve për ndriçimin e fatit të të zhdukurve. Në deklaratë thuhet po ashtu se “palët do të bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vend-varrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”.

“Shpresë e re”

Në deklaratë po ashtu ceket se për të zbuluar fatin e të zhdukurve, do të përdoren “të gjitha materialet, shkrimet, urdhrat, dokumentet, regjistrimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara nga institucionet përkatëse të të dyja palëve”. Aktivisti nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj, thotë se “deklarata për të zhdukurit dhe zbatimi i saj, “sjell shpresë të re”. Sipas tij, kjo është hera e parë që të dyja palët angazhohen për të lejuar qasje në dokumente të ndjeshme, që mund të hedhin dritë mbi fatin e mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Plaga më e rëndë nga cilido konflikt janë personat e zhdukur. Familjet e personave të zhdukur nuk do të gjejnë asnjëherë shërim dhe plaga e tyre do të mbetet e hapur përderisa fati i më të dashurve të tyre nuk është zbardhur. Sigurisht se kjo reflektohet edhe në shoqëri në përgjithësi. Prandaj, nuk mund të ketë një proces të pajtimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Edhe në raste ku mund të ketë një iluzion se pajtimi është afër, problemi i personave të zhdukur do të kthehet dhe do të pengojë këtë proces”, thotë Blakaj.

Gjurmimi dhe gjetja e lokacioneve të varrezave masive apo individuale, ku mund të jenë të varrosur trupat e personave të zhdukur, është një proces shumë i vështirë 25 vite pas përfundimit të luftës. Institucionet përkatëse janë duke bërë gjurmimin, por, sipas tyre, mungesa e informacioneve të sakta është problemi kryesor. Sipas Blakajt, bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kosovare dhe serbe është shumë i vogël dhe për këtë arsye, përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur janë joefektive, dhe gjetjet e trupave janë shumë të paktë./DW