Ndërkombëtarizimi dhe nevoja për ndryshime ligjore ishin në fokus të forumit të parë të Ligës së Universiteteve Gjon Durrahium, një shoqatë që ka në përbërjen e saj rreth 12 universitete dhe kolegje të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri. Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe tre ministrave të qeverisë, kryetari i Bordit të Ligës së Universiteteve, prof. dr. Ethem Ruka dhe rektorët, shpërfaqën nevojën dhe problematikat që hasen sot në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë bëri bashkë qeverinë dhe universitetet në forumin e parë të organizuar nga Liga e Universiteteve Gjon Durrahium. Kryetari i Bordit, prof. dr. Ethem Ruka dhe rektorët e universiteteve zhvilluan një diskutim mbi sfidat dhe nevojat për ndryshim për të lehtësuar procesin e ndërkombëtarizimit. Aktiviteti u nderua me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe tre ministrave të qeverisë: ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues nga stafet akademike të universiteteve publike dhe jopublike.
Në nisje të forumit, prof. Ruka u ndal te misioni i Ligës së Universiteteve që si rrallë herë bashkon një tërësi institucionesh të arsimit të lartë në Shqipëri, duke shprehur kështu nevojën për bashkëpunim dhe për çuarjen para të një sërë çështjesh të rëndësishme të arsimit.
“Bashkohemi këtu si kapacitet intelektual e njerëzor për në qëllim të vetëm: për të rezonuar plotësisht me politikat e ekzekutivit shqiptar për ndërkombëtarizimin e universiteteve e shqiptar. Ky është një objektiv, që do të thotë se ne nuk duhet të jemi proaktiv për të përmbushur objektivat e larta edhe në përputhje me agjendën e BE-së.
Kërkesa ndaj studentëve të huaj për hapjen e llogarive bankare, ende pa marrë vizën; Vonesat me konvertimin dhe njohjen e diplomave, por edhe pengesat burokratike ishin disa prej çështjeve të përmendura nga ish-ministri i Arsimit Ethem Ruka, duke kërkuar bashkëpunimin e institucioneve qeveritare.
“Të hedhim një hap më të guximshëm, të jemi më operativë dhe punonjësit e zyrave tona të mos shikojnë katër metra katrorë rreth tavolinës, por të shikojnë interesat e vendit dhe zhvillimeve të shpejta që duhet të pësojë arsimi i lartë”, shtoi ai.
Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa foli për tipologjinë e studentit të ri, shumë ndryshe nga ato të viteve 2000, ku tashmë studimi nuk shihet më si mall luksi, por si një e drejtë që aksesohet nga shumë persona në botë. Përtej shkëmbimeve akademike e studentore, partneriteteve, veprimtarive apo programeve të përbashkëta akademike, Xhepa tha se duhet të shkohet te integrimi i studentit ndërkombëtar në tregun e brendshëm.
“Me këto trendë për keqësuese që kemi në demografi, nuk kërcënohet vetëm sistemi arsimor, por ne e dimë që kërcënohet mbarë ekonomia dhe shoqëria. Në këtë kontekst mendoj se nënvizohet edhe më shumë tërheqja e studentëve të huaj, jo thjesht për të shpëtuar sistemin arsimor, por për të ndihmuar që të përmirësojmë, sepse integrimi i studentit të huaj lidhet drejtpërdrejtë me cilësinë e arsimit si dhe lehtësojmë tregun e brendshëm të punës.”
Presidenti i UET kërkoi koordinim të punës nga qeveria, si dhe ndërtimin e praktikave lehtësuese që universitetet të përballojnë me sukses sfidën e ndërkombëtarizimit.
Për kryeministrin Edi Rama, me reputacionin që Shqipëria gëzon në botë, për shkak të bumit që ka pasur në sektorin e turizmit, ky është momenti i duhur që të shfrytëzohet për arsimin dhe studentët e huaj. Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën për bashkëpunim, kryeministri tha se duhet të liberalizohet sistemi i arsimit të lartë dhe të çlirohet nga burokracitë që pengojnë shumë proceset, duke marrë si shembull përfaqësuesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
“Ne jo vetëm duhet të çlirojmë sistemin nga zinxhirët e Erzenit, por duhet të bëjmë një sistem edhe më liberal sesa e kanë të tjerët, sepse ne prapë nuk arrijmë të jemi konkurrues. Nëse ne i themi një studenti të huaj: “Ti do hapësh një llogari bankare dhe pastaj të shkosh te Erzeni”, ne praktikisht po i marrim konton bankare dhe po i sekuestrojmë paratë”.
Rama propozoi që Liga e Universiteteve të dalë me një propozim, një projekt konkret, pas studimeve dhe vëzhgimeve që kanë bërë në tregun shqiptar dhe atë të huaj, mbi ndërkombëtarizimin.
“Unë bashkë me një përfaqësi tuajën të shkojmë te Erzeni, t’ia vëmë përpara e t’i themi duhet bërë kështu, se përndryshe do të hyjmë në grevë urie. Atëherë kjo mund të realizohet. Nëse ju do të prisni që ne ta bëjmë këtë, kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, me të gjithë vullnetin e dëshirën time, dhe me gjithë vullnetin e ministrave.”
Në fund, kryeministri tha se Shqipëria nuk duhet të bëhet trampolinë për studentët e huaj që vijnë në Shqipëri si studentë dhe vijojnë rrugën e azilantëve në vendet e Europës.
“… kjo do të na vendoste në pozitë të vështirë me Erzenët e Brukselit, para të cilëve Erzeni jonë është liberal.”
Kryetari i Konferencës së Rektorëve, prof. dr. Artan Hoxha theksoi shqetësimi për ndërkombëtarizimin dhe studentët e huaj bashkon insttiucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik. Sipas tij duhet të bëhen rregullime ligjore që të ketë qëndrueshmëri në zhvillimin e mëtejshëm.
“Ka nevojë për rregullime të mëtejshme të elementit të huaj për arsimin e lartë në Shqipëri. Profesor Ethemi i preku disa prej tyre, por që të kesh një student të huaj, jo me modalitetin që vjen e rri dy-tre javë, një muaj, apo diçka më shumë, por me qëndrueshmërinë që të vij të bëjë studimet në Shqipëri, të bëjë një semestër, apo t’i zhvillojë studimet e plota, ne nuk e kemi infrastrukturën e nevojshme në asnjë institucion, që këtë ta bëjmë në mënyrë masive.”
Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, prof. Gjok Uldedaj tha se shifrat janë pesimiste për ecurinë e ndërkombëtarizimit në vendin tonë, krahasuar me rajonin dhe me Evropën.
“Ne jemi vendi me numrin më të ulët të studentëve të huaj ne Evropë. Nga ndërkombëtarizimi nuk ka asnjë të keqe, por ka vetëm të mira. Janë 231 programe studimi në gjuhë të huaj, ku një pjesë e tyre nuk funksionojnë, edhe për arsye të disa procedurave. Aktualisht ne kemi sivjet mbi 400 kërkesa dhe kemi materializuar vetëm dy studentë.”
Dedaj tha më tej se nëpërmjet ndërkombëtarizimi dhe përthithjes së studentëve të huaj bashkërendohen më mirë zhvillimet akademike, ndërkombëtarizimi i sistemit, por vijnë edhe përfitime ekonomike.
Në fund të konferencës, prof. Ruka u zotua që bashkë me kolegët e Ligës së Universiteteve të japin gjithë informacion e nevojshëm, të ndërtojnë projektin e të paraqesin modelin që e mendojnë si më adapt për Shqipërinë, me qëllim që ajo të përfitojë nga ky aset siç janë studentët e huaj, por që edhe sistemi të çlirohet nga zyrtarët që kontrollojnë gjithçka.