Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, ka replikuar në Kuvend me Gazment Bardhin. Shkak u bënë akuzat e Bardhit lidhur me praninë në seancë të ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu. Gogu i kujtoi Bardhit akuzat që ai ka bërë për Sali Berishën dhe Flamur Nokën.

“Qëndroji akuzave për babin e Zenit dhe Flamur Nokën, pastaj eja këtu. Qërro njëherë hasapet me kolegët e grupit tënd. Dhe pasi të të jetë larë goja me grupin tënd eja merru me ne”, i tha Gogu- Bardhit.

Kujtojmë që Gazment Bardhi ka akuzuar Flamur Nokën për fshehje të vilës 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit. Ndërkohë Sali Berishës i është referuar si “babi i Zenit” teksa e akuzonte për pengmarrje të PD-së.