Një vatër e re e gripit të shpendëve është zbuluar nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Zall-Herr të Tiranës.
Në njofti, thuhet se menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë mbrëmjen e ditës së djeshme, për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar me pula dhe gjela deti ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.
Mëngjesin e kësaj të shtune, përfaqësues të AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, duke marrë të gjitha masat për eliminimin me qëllim ç’rrenjosjen e infeksionit, si dhe ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Vatra e parë e gripit të shpendëve ka shpërthyer në Mëzez të Tiranës, në një fermë familjare, përpara disa javësh dhe që atëherë janë marrë masa në mospërhapjen e saj.