Ndërkohë që shumë festojnë në ndërrim të viteve disave iu duhet të punojnë. Anduela është një prej katër mjekëve që viti I ri do ta gjejë në Urgjencën e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Është detyrim siç kemi ne të gjithë mjekët, do na bjerë ditë festash, pushimi, përvjetore, ditëlindjesh…”

Nuk është e pazakontë për të që të punojë gjatë festave dhe as për dy fëmijët e saj që të mos I kenë prindërit në shtëpi në ditë të veçanta. Ashtu si këtë vit të ri që do ta presin me gjyshërit.

“Duke qenë se janë të dy prindërit mjekë fëmijët janë mësuar me këtë gjë. Si mamaja si babai, njëri dhe tjetri janë në shërbim. “

Ky është viti i dytë që Anduela e pret në punë. Në një prej shërbimeve ku më shumë se 250 pacientë në ditë nga Tirana, por dhe nga qytete të tjera kërkojnë ndihmën e mjekëve. Fluks që pritet të jetë më I lartë natën e ndërrimit të viteve. Nga tre vite më parë mjekja kujton.

“Para tre vitesh 31- shi ka qenë goxha i ngarkuar. Ne vetëm kemi bërë foton e fundvitit me kolegët e jemi marrë me pacientët. Ka pasur goxha punë atë natë …
Pas ores 1 që mbushet urgjenca me pacientë që kanë probleme me alkoolin, pacientë të shtrirë thuajse në të gjitha barelat. Problematikë është përzierja e alkoolit me drogat, pacienti mund të vijë me probleme kardiake, mund të konsumojë në sasira të mëdha… Do tu thoja njerëzve të jenë të kujdesshëm me pijet që do të konsumojnë edhe me ushqimin.”

Këshillë që nëse nuk e ndjekin mund ti kthejë dhe në pacientë të toksikologjisë shërbim ku ndërrimi i viteve do të gjejë doktor Zamirin. Nga mëngjesi i 31 dhjetorit 2024 e deri mëngjesin e 1 janarit 2025 do tu shërbejë atyre që kanë probleme prej alkoolit e drogës.

Vitin e ri i ka rastisur ta presë në punë edhe rreth dhjetë vjet më parë, por në një tjetër shërbim, atë për sëmundjet e brendshme dhe këtë herë thotë se nuk është njësoj.

“Rojet në ndërrim të viteve përherë të vështira kanë qenë, por duke qenë në toksikologji rastet do të jenë më të shumta. Numri i urgjencave varjon nga 10 në 15 raste në kohën kur jam mjek roje. Më tepër urgjenca ka gjatë natës. Moshat që kanë më tepër probleme janë nga 25 në 45 vjeç, abuzime me alkoolin, me substancat.”

Konsumi I alkoolit shtohet e rrjedhimisht dhe problemet prej tij. Mjekët thonë se janë përgatitur për ti ardhur në ndihmë një numri trefish më të lartë pacientësh se në një ditë normale, por që festat shumë persona të mos I kalojnë në spital ata sugjerojnë.

“Të festojnë po mos ta teprojnë. Të mos përzihen pijet dhe të mos kalohet sasia se sjell ndërlikime te pacientët.”