Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i ka kthyer pas SPAK-ut dosjen e njohur si “Buka”, ku ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për shkelje të detyrës dhe veprime që kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 7 miliardë lekësh.

Në seancën paraprake të zhvilluar të martën, pritej që dosja të kalonte për gjykim, por GJKKO vendosi që SPAK-u të ketë një afat prej tre muajsh për të plotësuar hetimet. Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, ka kohë deri më 10 mars 2025 për të kryer hetimet e mbetura.

Ahmetaj akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar privatizimin e shoqërisë “Buka sh.a” të biznesmenit Lirim Fezollari, në një operacion që dyshohet të ketë pasur elementë të korrupsionit.

Nga korriku i vitit 2023, Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat lidhur me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.