Një celular inteligjent mund të zgjasë nga dy deri në tetë vjet, në varësi të markës, mirëmbajtjes dhe përdorimit. Zakonisht është e lehtë të kuptohet se celularit po i vjen fundi pasi gjërat thjesht nuk funksionojnë. Por që mos të mbeteni ‘skllav’ i momentit të fundit dhe t’ju duhet të blini një celular me urgjencë, ka disa sinjale që tregojnë se pajisja po mbyll ciklin e saj dhe të merrni masat për ta zëvendësuar.
Bateria konsumohet shpejt
Ky është një nga treguesit kryesorë se celulari është gati për t’ju ‘lënë ‘shëndenë’. Sipas Apple,një iPhone mund të karikohet plotësisht rreth 500 herë përpara se kapaciteti i baterisë të ulet në 80%. Kjo do të thotë se celulari që më parë mund të rezistonte deri në 10 orë pas karikimit, tani arrin në 8 orë. Në pajisjet Android, bateritë zgjasin 2-3 vjet. Bateritë e celularëve janë me jone litiumi ndaj kanë jetëgjatësi të kufizuar. Nëse vini re probleme me të, duhet të zëvendësoni baterinë ose celularin.
Probleme me ekranin
Krejt papritur, celulari nuk funksionon. Ekranet me prekjet janë të ndjeshme dhe mund të degradojnë me kalimin e kohës apo nëse e keni thyer, keni afruar edhe fundin e tij. Zëvendësimi i ekranit zakonisht është goxha i kushtueshëm dhe është më e leverdisshme të ndërrosh pajisjen.
Ngadalësia
Nëse pajisjes i duhet ca kohë për të nxjerrë një shkronjë, qarqet kanë nisur të degradohen. Gjithsesi, para se t’ju zërë paniku, kontrolloni nëse po përdorni shumë aplikacione njëkohësisht çka ngadalëson procesimin dhe konsumon baterinë.
Celulari fiket dhe ndizet
Krejt papritur, celulari juaj vendos se është momenti perfekt për t’u fikur e ndezur sërish. Kjo mund të jetë pasojë e temperaturës së baterisë, por ndoshta do ju duhet të mendoni për një celular të ri.
Nuk përditësohet
Kur kompanitë nxjerrin modele të reja celularësh, përditësimet e programeve nuk përshtaten më me të vjetrat. Përveçse përdorimi i aplikacioneve vështirësohet, kjo nënkupton edhe më pak siguri dhe të dhënat tuaja mund të hakerohen.
Nxehja
Kur celulari nxehet edhe pse nuk e keni përdorur gjatë, është e sigurt se fundi i tij është pranë. Në këto raste, pjesa e brendshme e tij po tejkalon përdorimin e zakonshëm. Tregoni kujdes sepse bateria mund të shpërthejë apo të marrë zjarr.
Prekjet ‘fantazmë’
Kur celulari nis të veprojë edhe kur ju nuk e prekni, kjo quhet prekje fantazmë. Zakonisht ky nuk është problem programi, por mund të jetë për shkak të dëmtimit të ekranit, ujit, karikuesit jo cilësor apo një defekti të brendshëm. Me gjasë, celulari mund të shpëtohet por përgatituni edhe për të kundërtën.