Pjesa e tretë – (‘Pallati i Brigadave’ 11 dhjetor 1990)
Ramiz Alia hyn i duartrokitur në sallën ku ishte përcaktuar zhvillimi i takimit, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Skënder Gjinushi dhe sekretari i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë Lisen Bashkurti. Fillimisht Alia takohet me disa nga pjesëmarrësit në këtë takim, ndërsa më tej mban një fjalim, ku bën të ditur vendimet që ka marrë Pleniumi i Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.
Vijon nga numri i kaluar
Arben Demeti: Juve jeni para mikrofonit, pohojeni ?
Ramiz Alia: Mund ta quajnë si të duan, parti mund ta quajnë, shoqatë mund ta quajnë, kupton. Vetëm duhet të respektojë ligjet.
(Salla duartroket gjatë për Ramizin).
Ramia Alia: Vetëm duhet të respektojë ligjet dhe të mos shkojë ndesh me interesat e popullit. Këtë e kini kujdes.
Arben Meçe: Po ndesh me interesat e Partisë mund të shkojë?
Ramiz Alia: Mund të shkojë varet, se deri ku janë interesat e Partisë dhe deri ku i kap ligji këto interesa. Ligji nuk është i Partisë (ndërhyrje nga salla).
Zef Brozi: Ka norma ligjore të përcaktuara. Po për partinë a duhet të ketë kërkesa të tjera. Nuk duhet të ketë kushtëzim nga programi juaj?
Ramiz Alia: Me ligjin është tjetër problem, s’ka pse të futesh këtu. Me ligjin është tjetër problem.. (ndërhyrje nga salla).
Zef Brozi: Për Partinë a duhet të ketë kërkesa të tjera, se duhet të ketë kërkesa të tjera për Partinë?
Ramiz Alia: Ai mund të mos jetë hiç, por duhet të keni kujdes edhe në këto çështjet e programeve. Do tërhiqja vëmendjen tuaj në atë çështjen ekonomike që e keni atje në program. Do të dëshiroja që të jeni pak në dijeni, se nuk jeni mirë në dijeni dhe natyrisht mund të krijoni edhe mendime të ndryshme.
Gjendja ekonomike, unë e kam thënë publikisht, publikisht edhe në mbledhjen me rininë, kur ishte në datën 23 nëntor, se është e rëndë. Edhe kjo gjendje e rëndë ka mjaft arsye. Një nga arsyet themelore është që neve na është vjetruar teknika dhe teknologjia e prodhimit. Përtëritja e saj kërkon investime të mëdha, investime të cilat ne po përpiqemi ti realizojmë, jo vetëm duke përdorur të gjitha rezervat dhe mundësitë tona, por edhe duke bashkëpunuar me firma të huaja, bile edhe duke kërkuar kredi. Pikërisht pse po veprojmë në këtë fushë, juve e dini që Presidiumi i Kuvendit Popullor, morri dy ligje të veçanta që lejojnë investimet e huaja, kupton, dhe marrjen e kredive.
Pikërisht për këtë arsye në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror në mënyrë specifike theksova që në Kushtetutën e ardhshme, neni mbi çështjen e kredive duhet të rishikohet. Por të mos harrojmë edhe kushte të tjera, që ndikojnë veçanërisht kur flasim për kohën e sotme. Kam parasysh kushtet atmosferike. Unë i thashë edhe mbledhjes të atyre të rinjve që ishin atje. Neve na kushtoji thatësira e sivjetshme, që dëmtoi rëndë energjinë elektrike, dëmtoi rëndë bujqësinë tonë, 150 milion dollarë. Juve nuk e merrni me mend ndoshta, çdo të thotë 150 milion dollarë. Por që të bëni…. ( ndërhyrje nga salla: s’kemi faj ne). Jo jo jo. S’keni faj ju për këtë, se është relative. Nuk e merrni relativisht me çfarë, ndaj dhe nuk keni faj ju. Por unë po ju them se eksporti jonë kombëtar në vit është 400 milion dollarë. Pra duke bërë këtë krahasim, ma do mendja se del më tepër në evidencë, sesa dëme kemi patur nga thatësira. Mund të thotë ndokush, siç edhe ma thanë, se vetëm neve thatësira? Jo, s’është vetëm ne thatësira. Nuk është e vërtetë që është vetëm tek ne edhe tek të tjerët ka qenë thatësira. Por ne mos harrojmë se jemi vend i vogël dhe kur thatësira ndodh në Shkodër, po kjo thatësirë ka shku edhe në Gjirokastër. Kurse në vende të tjera ndodh thatësira në fund të Italisë, por nuk ndodh në veri të saj, e kështu me radhë. Prandaj kjo situatë aktuale, nuk flas për situatën e përgjithshme, duhet patur mirë parasysh. Neve po marrim masa për të përballuar këto vështirësi që kemi. Juve e keni dëgjuar shokun Adil që ka folur që Qeveria po përpiqet, në rrugë nga më të ndryshmet, duke përfshirë këtu edhe kreditë që të plotësojë d.m.th sa më parë nevojat që ka populli për këtë çështje. (ndërhyrje nga salla: cilat janë rrugët?). Rrugët janë për të importuar, për të importuar vajin që nuk u bë, sheqerin që nuk u bë, drithëra buke që nuk u plotësuan, sidomos misër për blegtorinë, sepse misri, pothuajse as 50 përqind nuk morëm, import patatesh, import orizi. Këto janë mallra ushqimore të cilat kapin një shumë gati 80 milion dollarë.
Nga salla: Po këto ndikojnë vitin tjetër?
Ramiz Alia: Këto vitin tjetër nuk ndikojnë, sepse ne po bëjmë tamam këtë llogari, që ti plotësojmë tani për vitin tjetër, se konsekuencat e këtij viti duken vitin tjetër.
Nga salla: Po vazhdoi thatësira?
Ramiz Alia: E kuptoj e kuptoj. Edhe parvjet, edhe vjet, thatësirë kishin , edhe vitin tjetër s’do të kemi se kur i thonë pastaj duket sikur edhe perëndia kur na ka zënë kështu me gurë kur i thonë, atëherë, por megjithatë, duhet të përpiqemi që ti bëjmë ballë. Neve tashti nga ana tjetër po i bëjmë ballë dhe po kërkojmë që të fillojë mekanizmi i ri ekonomik më 1 janar të këtij viti, me lëndë të parë në të gjitha uzinat dhe fabrikat. Në mënyrë që punëtorët të mos mbeten pa lëndë të parë siç mbetën tani, kupton. Se sivjet 40 mijë punëtorë kanë punuar me orar të reduktuar dhe ne jemi detyruar të paguajnë 80 përqind të pagës së tyre. Çdo të thotë ti paguash 80 përqind të pagës punëtorit? Do të thotë të paguash para dhe të mos marrësh prodhim. Kush është ekonomist këtu nga juve e kupton se kjo është një gjë e keqe për ekonominë, sepse është burim inflacioni, kupton. Po ne nuk mund të linim klasën punëtore, që jo për faj të saj, të mbetesh edhe pa të ardhurat. Ekonomia e tregut do të thotë të lësh lojën e lirë të çmimeve. Në qoftë se kini durim do t’ju shpjegoj pak si është situata tek ne që pastaj të shikojmë a duhet të shkojmë në këtë version? Nuk them a duhet të shkojmë nesër, a duhet të shkojmë në këtë version? Prandaj është ajo çështja çështja që thash, durimi, se njerëzit kërkojnë dita me ditë. Problemi shtrohet kështu vëllezër. Shqipëria është zhvilluar në bazë të disa marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike që ka patur. Ç’kanë qenë këto marrëdhënie ndërkombëtare ekonomike që ka patur Shqipëria? Deri vjet, në vitin 1989 eksporti dhe importi ynë bëhej mbi bazën e çmimeve stop. Çdo të thotë çmime stop? Ekonomistë më ndihmoni një çikë ju. Jua them, jua shpjegoj çdo të thotë… Ne bënim marrëveshje me vendet e Evropës Lindore edhe me Jugosllavinë, edhe me Evropën Lindore, edhe me Kinën, flas për këto vende, marrëveshje 5 vjeçare mbi bazën e të cilave thonim do të marrim këto, këto, këto plaçka, do të japim këto, këto, këto plaçka. Do t’i blemë me kaq çmime, do t’i shesim me kaq çmime dhe këto çmime ishin të palëvizshme për 5 vjet. ( ndërhyrje nga salla) Mbi këtë bazë duke qenë se ishin çmime fikse neve kishim caktuar edhe pagat e njerëzve Stop. Domethënë kemi tabelën e pagave, sa merrte punëtori, sa merrte mësuesi , sa merrte aktori, besoj se edhe ti që je aktor, njësoj e ke pas rrogën, mund të jetë ndryshuar një herë në 5 vjet a si e ke, se ka një normë edhe atje e të gjitha d.m.th., njësoj. Çmimet në treg ishin gjithashtu stop, çmimi i sheqerit, çmimi i bukës, çmimi i miellit, çmimi, gjalpit, çmimi i mishit, çmimi i veshjeve etj etj. Tani çka ndodhur? Tani marrëdhëniet me të gjitha vendet e lindjes edhe me Jugosllavinë kanë marrë fund si marrëdhënie çmimesh stop. Tashti japim dhe marrim mbi bazën e çmimeve konjukturale.
Dikush nga salla: Kur ka filluar kjo?
Ramiz Alia: Duke filluar që nga fillimi i këtij viti, dhe pa klering. (ndërhyrje nga salla: që nga fillimi i viteve ’90?). Po që nga fillimi i vitit ’90.
Salla: Nuk po shohim rezultat?
Ramiz Alia: Më fal, më fal. S’po sheh rezultat, duhet të shikoni të keqen dhe jo të mirën. Jua shpjegoj unë tani. Kjo është për keq, nuk është për të duartrokitur. D.m.th nuk ka më marrëveshje çmimesh stop. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë shesim dhe blenë sipas koniunkturës. Sot e blenë kafenë 400 dollarë, nesër e blenë 700 dollarë. E kuptoni këtë? Sot e blenë grurin 120 dollarë tonin, nesër e blenë 150 dollarë tonin.
(Nga Salla: Kështu edhe mund të shesim?)
Ramiz Alia: Këtu ke të drejtë ti, edhe mund të shesim. Po çka ndodhur, meqë e hape këtë muhabet ti, ato që ne të shesim, janë mineralet. Çmimi i kromit ka rënë, struktura ekonomike botërore, çfarë je ti ekonomist?
Shinasi Rama: Jo unë jam për gjuhë të huaja?
Ramiz Alia: Për gjuhë të huaja, epo mirë lexon makari. Metalurgjia ka rënë, armatimet po bien, kromi duhet tamam këtu…pra pikërisht këtu janë ulur çmimet. Çmimet e bakrit janë ulur, pra ato lëndë të para që ne eksportojmë kanë rënë. Tani kontradikta me të cilën jemi sot ne është kjo: nuk ka prodhim që ne nuk e subvencionojmë. Juve bleni bukën, të dini që mbi bukën që bleni 5 lekë i subvencionon shteti. Juve bleni kafenë ta dini që 100 lekë i paguan shteti. Juve bleni sheqerin, ta dini që mbi sheqerin paguan shteti. Dhe kështu për shumicën e mallrave, prandaj e thashë që është gjë e keqe, pikërisht nga ky ndryshim. Pra këtu vijmë tani, ku i merr shteti paret? Shteti i nxjerrë rezervat. E kupton, sepse çdo njeri ha veten. Ky është problemi, problemi më ekonomik, më akut më serioz që kemi ne.
Ndërhyn salla: Si mund të dalim nga kjo?
Ramiz Alia: Prit avash, avash. Kjo ka një rrugë dhe kjo rrugë do të ishte rishikimi i të gjitha atyre masave që kemi marrë përpara. Cilat janë masat që kemi marrë përpara? Që ti studion dhe nuk paguan taksë, që ti në mensë han, shteti subvencionon. Në shtëpitë tona ne banojmë shteti subvencionon, shkon në spital, shtrohesh pa pare shteti subvencionon. (ndërhyrje nga salla: nuk shtrohet kështu).Prit prit. Ne e kemi kategorike. Jo more shpirt, prit.
Shinasi Rama: Çfarë kanë këto mikrofona që nuk punojnë?
Ramiz Alia: Tamam kështu shtrohet se ekonomia është konkrete dhe prandaj unë ju thashë me qenë konkretë. (ndërhyrje nga salla). Ekonomia ka ca ligje të vetat, të forta kupton. Neve kemi ndjekur ekonominë, për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe bashkë me të kemi ndjekur njëkohësisht edhe aspektin social. D.m.th., ne i kemi dhënë një rëndësi të madhe këtij aspekti që të sigurojmë shtëpi me qira të ulët, të sigurojmë spitalin, shkollën pa asnjë taksë, askush nuk paguan taksë kupton…
Shinasi Rama: Ça me pagu se 4 mijë lekë merr punëtori? Tani të mos diskutojmë kështu.
Ramiz Alia: Dale mor vëlla, avash, avash… Dëgjo këtu, çështja është këtu. Këto nuk ja u thashë t’ju ngatërroj në këto gjëra, por desha vetëm të theksoj që këto problemet ekonomike nuk janë aq të thjeshta probleme. Po të bëhet siç thoni, ju s’thoni hiç për këtë, por thonë të tjerë, që të zbatohet ligji i tregut, atëherë qysh nesër ne duhet të heqim subvencionet shtetërore. Po hoqëm subvencionet shtetërore çmimet do të ngrihen në qiell, patjetër do të ngrihen edhe pagat. Duhet të ngremë pagat medoemos. Por, do të ndodhi një fenomen tjetër, që në ndërmarrjet tona ka shumë punëtorë që s’janë të nevojshëm, pra do dalin papunë. Pra, ti shkojmë këtij versioni? Kjo do të ishte vetëvrasje. (ndërhyrje nga salla). Dale dale, ta mbaroj, prit djema se ju nuk i keni, nuk i keni, nuk i dini të tëra këto.
Arben Imami; S’kemi informacion?
Ramiz Alia: Po s’kini faj juve, s’keni informacion dhe pikërisht unë po ja u them që të keni informacion, sepse kjo do të shkaktonte menjëherë kupton një papunësi shumë të madhe. Juve lexoni besoj, në qoftë se nuk lexoni gabim e keni, por duhet të lexoni, kupton.. se çfarë po ndodh në këto vendet e lindjes. Rumunët vendosën t’i heqin subvencionet çmimeve kupton.. dhe do të hynin në fuqi më 1 janar. Dje dhanë lajmin anulohet ky vendim, të shtyhet për në 1 qershor të vitit të ardhshëm, sepse panë se menjëherë do të kishte një reaksion shumë të madh, për arsye se do të kishte një fuqi të madhe punëtore që do të dilte jashtë përdorimit dhe nga ana tjetër do të krijoheshe ajo që quhej diferencim shoqëror, që një palë ka për të blerë do blinte, një palë tjetër që është me të ardhura më të vogla, nuk do blinte. Kjo është situata që duhet pas parasysh. Tani në kushtet tona, ne duhet të ecim, prandaj thashë atë çështjen e hapave të matura dhe të kujdesshme. Ne duhet të evitojmë këto lloj konsekuencash sociale, të cilat dëmtojmë interesat e popullit. Neve duhet të ecim me hapa të kujdesshme medoemos, medoemos, ti përshtatemi zhvillimeve të situatave, por pa shkaktuar këto perturbacione të mëdha në ekonomi e në popull. Kësaj duhet të kemi parasysh që as largimi nga puna, as anarshia në ekonomi, as ajo shkrehja e disiplinës për të cilën unë fola në Plenumin e Komitetit Qendror, kjo nuk i shërbejnë shëndoshjes së gjendjes. Përkundrazi ekonomia kështu rëndohet. Të mos harrohet edhe një moment. Ju lutem shumë të gjithë ju, studentëve, klasës punëtore, fshatarësisë dhe gjithë popullit. Çfarë ju lutem? Të kenë kujdes dhe të mos harrojnë se edhe të huajt nuk investojnë në qoftë se nuk kanë garanci tek gjendja politike e vendit, nëse nuk kanë garanci që gjendja politike e vendit është e stabilizuar. Në një vend ku nuk ka stabilitet politik, askush nuk është i interesuar të investojë. Sepse do të ishte humbje e kapitaleve të tij. Prandaj duhet për hir të interesave të atdheut, për hir të zhvillimit tonë, për hir të përmirësimit të gjendjes së atdheut tonë, të popullit tonë, të ekonomisë sonë, duhet të forcojmë gjendjen politike, duhet të mos shkaktohen çrregullime, të mos shkaktohen anarshi, të mos shkaktohet largime nga puna. Përkundrazi duhet secili të punojë në vendin e punës. Të punojë me të gjitha forcat me disiplinë. Studenti në shkollë, punëtori në qendrën e punës, fshatari në punën e vet, nëpunësi në zyrën e tij, të punojnë me ndërgjegje patriotike, me ndërgjegjen që në dorën tonë, e theksoj në dorën tonë, është, që këtë tokë, këtë atdhe, këtë Shqipëri ta çojmë përpara. Ja këtë unë kërkoj unë nga ju, këtë kërkoj nga rinia, këtë duam që edhe juve të shikoni në këto çështje, të shikoni në këto drejtime.
(Salla duartroket)
Ardian Petrollari: Më falni, më falni. Unë jam në Fakultetin Ekonomik dhe po pati mundësi të shpreh edhe unë disa mendime, nuk janë as shkencore, asgjë, por shkurt. Ju thatë se jemi keq. Mirë Pse jemi keq? Sepse dy rrugë janë për ne d.m.th., për të rritur produktin e përgjithshëm shoqëror: të përmirësojmë teknologjinë, të rrisim numrin e fuqisë punëtore. Të dytën është e kufizuar nga poshtë, nga lart nuk bëhet, d.m.th., është jashtë një mundësie të caktuar, me dëshirë subjektive nuk bëhet d.m.th., rritja artificiale e fuqisë punëtore. Kështu që mbetet e para përsosja e teknologjisë, por që të përsosësh teknologjinë duhet të kesh para. Po që të kesh para..
Ramia Alia: Duhet të shesësh ose të marrësh kredi?
Ardian Petrollari: Po, por është edhe gjëja tjetër që me ç’kam marrë vesh, me ç’di, në qoftë se shikoni orë mund t’i bie shkurt.
Ramiz Alia: Juve tashti, tashti po vijmë drejt fundit
Ardian Petrollari: Në qoftë se për punën e investimeve, ne çfarë prodhojmë sot e konsumojmë nesër. Është e qartë kjo, nuk kemi aftësi investuese, që të korrim frytet e investimeve tona pas 5 ose 6 vjetësh. Tani çfarë na pengon ne dhe çfarë duhet të bëjmë konkretisht?
Ramiz Alia: Duhet të bashkëpunojmë me botën.
Ardian Petrollari: Po po, por që të bashkëpunojmë me botën duhet të krijosh kushtet juridike ekonomike, politike dhe shoqërore, pikërisht që ai të vijë këtu të investojë.
Ramiz Alia: Pikërisht atë që thashë unë, duhet stabiliteti.
Ardian Petrollari: Po çfarë kemi bërë deri tashi, ndoshta po ju kërkoj llogari për këtë punë?
Ramiz Alia: Jo jo (qesh). Pyetja është e qartë. Bëmë ligjet juridike që ti japim garanci kapitalit të huaj që në Shqipëri mund të investojë dhe kapitali i ti është i siguruar nga shteti. Kjo është garancia më e madhe. E dyta neve bëmë ligjin që investitori i huaj ka të drejtë të investojë edhe të nxjerrë fitime të cilat mund edhe ti transferojë në një bankë tjetër. Këto janë garancitë që ne i kemi dhënë kapitalit të huaj për këtë çështje. Tashti nga pikëpamja e stabilitetit politik ne mendojmë që stabiliteti politik në Shqipëri ekziston, stabilitetin politik në Shqipëri kemi në dorë ne.
Salla: Kush ne?
Ramiz Alia: Shiko duart, të tërë
Nga salla: Populli?
Ramiz Alia Të tërë, tërë populli. Stabilitetin politik e keni në dorë juve, të udhëhequr pa dyshim nga shteti, nga Partia, (Këtu ka ndërhyrje nga salla, Adrian Petrollari shton: ose nga partitë e tjera), nga të gjitha organizmat e ndryshme që luftojnë dhe punojnë për Shqipërinë, për pavarësinë, për lirinë, për socializëm. Shikoni mos harroni kupton që stabilitetin e kemi ne në dorë. Në qoftë se do të krijohen artrite, përplasje, situata të padëshiruara nuk ka stabilitet. Nuk ka stabilitet s’ka garanci, s’ka garanci, gjendja nuk rregullohet.
(Debate në sallë)
Ardian Petrollari: Po, nji minut tashi
Ramiz Alia: Unë jua shpjegova që në fillim, pse ndodhin situata të tilla.
Ardian Petrollari: Në ligjin për investimet mund të gjesh dy pika të dobëta. Në radhë të parë nuk sanksionohet pronësia mbi tokën, sepse pronësia mbi tokën nuk theksohet që hiqet monopoli i shtetit, sepse përsëri monopoli i shtetit ekziston.
Ramiz Alia: Nuk ka të bëjë fare. Jepet me qera, nuk shitet toka. Ju doni ta shesim Shqipërinë?
Salla: Jo jo jo
Ramiz Alia: Atëherë si ta shesim tokën. (Ka ndërhyrje nga salla)
Ardian Petrollari: Ka kontratë për këtë punë, ka kontratë për këtë punë.
Ramiz Alia: Ta japësh me qera po, por jo ta shesësh. Me qera është.
Ardian Petrollari: Pikërisht për këtë punë janë larguar investitorët e huaj.
Ramiz Alia: Kush të tha që janë larguar, kush?
Ardian Petrollari: Janë larguar, janë larguar. Është larguar…
Ramiz Alia: Dëgjoni djema juve jeni shumë keq të informuar. Asnjë firmë e huaj nuk është larguar se nuk i është dhënë tokë me qira. Meqë juve thoni se jeni në dijeni dhe që ta përgënjeshtroj këtë punë po ju them. Me një firmë gjermane, është filluar një marrëveshje, ala nuk ka përfunduar, marrëveshja paraprake ka filluar, tashti në fund të këtij muaji do vijnë për ta firmuar kupton, lidhur me kërkimet e naftës në det. D.m.th., ne japim, bashkëpunojmë me të me qira për shfrytëzimin e naftës në det.
Arben Imami: Suksese atëherë.
Ramiz Alia: Suksese të gjithëve, po prandaj varet situata që duhet të krijojmë ne. Ky është problemi.
Azem Hajdari: Këto pika që kemi bërë ne, studentët kërkojnë që t’u japim sqarime për çdo pikë. Unë kam vetëm një pyetje.
Ramiz Alia: Bëjeni pyetjen…
Azem Hajdari: Neve flasim për subjekte elektorale dhe kur flasim për subjekte elektorale, partia si do të shkojë në këto subjekte elektorale, e barabartë?
Ramiz Alia: E barabartë me të gjithë, është thënë në ligj. Se keni lexuar ligjin?
Azem Hajdari: Kur?
Ramiz Alia: Në ligj thuhet se janë elemente të barabarta elektorale të gjitha pjesëmarrësit në zgjedhje.
Arben Imami: Shoku Ramiz, ne do të shkojmë atje.
Ramiz Alia: Shkoni.
Arben Imami: Të mos zgjatemi, se nuk jam vlen të zgjatemi. Përgjithësisht jeni dakord me këto pika, sepse neve na ka ardhur fjala që mbrëmë, se ju jeni dakord me këto pika? P.sh., fjala vjen për problemin e lirisë së shtypit, për problemin e dhunës, që këta që janë këtu dhe një pjesë e atyre që janë atje të mos preken? ( ndërhyrje nga salla: të mos preken)
Ramiz Alia: Mos kini merak nuk do të preken mos kini merak. Vetëm dëgjo këtu, si President, do të them një gjë, ta kini parasysh juve, jo vetëm studentët por dhe të gjithë qytetarët tanë, duke përfshirë këtu edhe të gjitha organet tona shtetërore dhe organizmat e ndryshme shtetërore. Secili duhet të zbatojë ligjet. Flasim për shtet ligjor ahere të tërë edhe organizmat e ndryshme shtetërore, të tërë, edhe organizmat shtetërore, edhe studentët edhe rinia, edhe fshatarët edhe punëtorët edhe nëpunësit duhet ti nënshtrohen ligjit. Në qoftë se lidhur edhe me atë që thoni ju policia ka kapërcyer kompetencat e veta kupton, ndaj policëve që kanë kapërcyer këto kompetenca, do të merren masa. (reagon salla: kanë shumë kompetenca). Prit, prit prit. Por nëse ndokush vepron kundër ligjit edhe ndaj tij vepron shteti ligjor. Më thanë se në një depo ishte vjedhur një arkë me granata.
Tefalin Malshyti: Le të konsiderohet hajdut..të dënohet si hajdut, ai…
Ramiz Alia: Prit prit, prit. Kujt i duhen granatat?!
Azem Hajdari: Neve nuk na duhen.
Ramiz Alia: Prandaj ligji (reagon salla). Ai është zënë, jo tek ju jo tek ju. Unë e kam fjalën, nuk e thashë për juve, që fajtori është gjendur dhe ai do të përgjigjet para ligjit. Kupton çdo njeri që bie në kundërshtim me ligjin duhet të përgjigjet para ligjit. Prandaj…
(Nga salla: Me këtë jemi shumë dakord)
Ramiz Alia: Shumë dakord. Prandaj çdo njeri duhet të paraqitet para ligjet. Ka ligje që çdo njeri duhet t’i respektojë. Tashi nga ato ndodhitë që keni ju atje ka raste që edhe ju nuk i keni respektu ligjet. Unë shokëve tuaj, atë natë, ti e mban mend ëëë?
Arben Lika: Po e mbaj mend, isha edhe unë atë natë.
Ramiz Alia: Ju thashë edhe atë natë, kini kujdes, kini kujdes se ka ligje mbi grumbullimin. Polici është polic. Ai ka një ligj dhe të thotë ndal, ndal, ndal. E shtyjnë e shtyjnë e shtyjnë, kur e qëllon edhe me gurë, kur thyhen edhe xhamet, ju i thyhet edhe xhamet makinës së këtij (tregon nga Skënder Gjinushi), (reagon salla). Dëgjoni, dëgjoni, unë po flas hapur me juve, unë dua të jem i sinqertë me juve deri në fund, doni juve të jeni të sinqertë me mua?
Arben Lika: Patjetër, patjetër.
Ramiz Alia: Çështja është që unë ju ftoj të tërëve që ligjin të tërë duhet ta zaptojmë me korrektësi. Dhe thashë në rradhë i drejtohem organeve të policisë organeve shtetërore, të cilët janë të ngarkuara me zbatu dhe respektu ligjet, ashtu siç i drejtohem edhe qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe rininë. Respektimi i ligjeve me korrektësi, në rrugë të qytetëruar, pikërisht në atë që ne e quajmë rrugë demokratike. Prandaj të gjithë duhet të zbatojmë ligjet. Më tha dikush pse nuk merr masa ti shoku Ramiz? Unë i thashë, po pse diktator do të më bësh ti mua?
Salla: Kush ishte? E mban mend?
Ramiz Alia: E mbaj mend, si nuk e mbaj. Ishte njeri i mirë. Ishte njeri shumë i mirë dhe unë e respektoj atë, e tha me shaka, ishte shumë i mirë. (nga salla: ka qenë i keqinformuar.) Edhe unë i thashë mos më kërko, se unë diktator nuk bëhen, unë do zbatoj ligjet. (Salla duartroket)
Ramiz Alia: Edhe unë që jam ngarkuar nga populli, nga shteti, nga partia nga qeveria, nga të gjithë masat me këtë post që kam, jam për atë që të mbroj ligjet, dhe të mbrohen dhe të respektohen. Të gjithë i respektojmë duke filluar që nga unë dhe deri tek njeriu i fundit.
Zef Brozi: Shoku Ramiz, kam bërë një studim mbi kulturën juridike të rinisë studentore, shkollore etj. Është problem i madh, mbarëkombëtar që nga edukata juridike neve jemi shumë të mangët. Edhe kjo bisedë është një dëshmi e gjallë e kësaj që po them. Sepse studentë të mos njohin disa nene të Kushtetutës baze, disa gjëra nuk duhet.
Ramiz Alia: E po nuk janë të gjithë të drejtësisë..
Zef Brozi: Prandaj ne kemi sugjeruar që në të tëra fakultetet të futet një lëndë me njohuri kryesore juridike (Ramiz Alia: Bobo, i ngarkove i fike fare).
Ramiz Alia: Unë mendoj të ikim tashti. Prit prit. ( reagime nga salla) Një minutë, një minut. Dale se nuk kam mbaruar. Çështja është këtu që ligjet duhet t’i kemi parasysh të tërë. Shifni thashë rregullat dhe ligjet se duhet ti zbatojmë, ndryshe kupton, se ligji dhe rregulli vepron kundër secilit. ( reagon salla). Ti je student dhe po nuk shkove tre ditë në shkollë, përjashtohesh nga shkolla. Këtë kijeni parasysh. (reagon salla). Punëtori është punëtor dhe punëtori po nuk shkoi në fabrikë i pritet rroga. Shiko, edhe kur nuk shkojnë të gjithë rroga nuk do i paguhet, për këtë të jesh i bindur. Prandaj duhet të kemi parasysh se nëse flasim për çështjet e respektimit të ligjit, unë ja u thashë mendimin, jua them, jua përsëris prapë, që ta dëgjoni. Unë kërkoj nga të gjithë, duke filluar që nga organet shtetërore, nga organet e policisë dhe nga të gjitha organet e ndryshme, …ndërhyrje… edhe nga qytetarët, të zbatojnë ligjin. Edhe nga ana e studentëve, edhe nga ana e qytetarëve, të tërë duhet të respektojnë ligjin, këtë mos e harroni….ndërhyrje… Se këto çështje nuk mundet të……
Azem Hajdari: …..mund të na dalin disa probleme……ne kemi ardh këtu si përfaqësues të studentëve dhe ne do i çojmë atyre atë që do na thuash ti, se ne tek ty kemi besim. …këtë besim… nuk do ta humbim kurrë. Tani lind problemi këtu. Problemi është se për këto pika të kërkesave tona, që studentët i kanë parashtruar, te cila pikë nuk i realizohet studentëve. Cila pikë është e parealizueshme?
Arben Lika: Tashi lidhur me pikën e dytë…
Ramiz Alia: Dale dale, se i kam këtu. Unë mendoj se në këto çështje, themelore që ju intereson juve, që i intereson rinisë, që na i intereson të tërëve, është çështja e kërkesës së pluralizmit. Kjo është politikja që ta marrim vesh.
Azem Hajdari: Kjo është.
Ramiz Alia: Ashtu. Kjo çështje, unë mendimin tim ua thashë, dhe besoj se të tërë jeni të qartë në këtë punë. Tashi këtu të botohen karta e OKB-së, karta e kësaj karta e asaj, të gjitha këto gjëra ne do i bëjmë se i kemi në mend edhe vetë, pa na i thënë juve këtë, që do t’i botonim të gjitha këto dokumenta. Mos u shqetësoni se nuk do ju japin gjë, ndonjë pasuri të madhe, kuptoni.
(ndërhyrje nga salla : Kështu na është thënë ne do i botojmë, do ti bëjmë, dhe prapë…)
Ramiz Alia: E shikon sa i painformuar që je ti. Nuk është faji
Azem Hajdari: Ne kemi folur për shtypin shoku Ramiz (reagime nga salla)
Ramiz Alia: Shiko mos hapni të tilla tema, se këto gjëra ( reagime nga salla)
Azem Hajdari: Një kërkesë e jona është edhe shtypi.
Ramiz Alia: Problemi i shtypit është, juve thoni do bëjmë gazetë, bëjeni gazetën…
Arben Imami: Ta bëjmë gazetën?
Ramizi Alia: Bëjeni, por thashë zbatoni ligjet, për të mirën e vendit, shoqërisë dhe Shqipërisë.
Azem Hajdari: Neve e sqaruam që në fillim, të sigurojmë edhe ty, se këtu është ndjenja kombëtare. Jemi bijtë e popullit dhe ne jemi me ju për reforma demokratike, dhe nuk ka asnjë gjë të manipulime këtu. Jemi ne, dhe jam i bindur unë, bashkë e këta shokë që nuk na impliko kush. (ndërhyn Ramiz Alia: dakord, dakord). Ne do ecim në këtë rrugë, bashkë me ju, dhe dialogu ka vetëm këtë qëllim, që ne të ecim në këtë drejtim të caktuar. Ata që do mundohen me na manipulu, nuk do e arrijnë qëllimin. Prandaj kërkesat tona, këto kërkesa që kemi parashtrua, duan edhe ndihmën tuaj.
Arben Imami: Duam edhe ndihmën tuaj si President…
Ramiz Alia: Shiko ndihmën time, nëse e doni më dëgjoni, më dëgjoni. Ndihma ime do të jetë pa rezerva, në qoftë se ju viheni në punë, d.m.th., do të shkoni në shkollë, ti jepni fund edhe atyre situatave që krijohen, të cilat të jeni të bindur se tjetërkush, jo ju, mundet dhe kërkon t’i shfrytëzojë për qëllime të tjera. Juve mos jepni argument për këtë, prandaj ndiqni mësimet, shkoni në shkollë, vazhdoni punoni për këtë organizatë që doni ju, përpunoni atë program që keni për të përpunuar, përpunoni programet që doni ju, kupton. Në qoftë se doni të bashkëpunoni me organizatën e rinisë lidhur me çështjen që ju intereson për nxjerrjen e deputetëve, s’ka rëndësi ajo, në qoftë se doni, në qoftë se s’doni mos bashkoheni.
Azem Hajdari: Nuk mund të bashkohemi se organizata e rinisë është rrip transmisioni, është rrip transmisioni Organizata e Rinisë. Vetëm Altin Goxhi ka hy atje.
Ramiz Alia: Nuk ka rëndësi hiç, se ndoshta mund të bëni dakord, s’ka rëndësi.
Azem Hajdari: Kjo është një nga problemet tona kryesore…/Memorie.al
(ndërhyrje nga salla: kjo nuk ka rëndësi fare).