Komisioni i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës zhvilloi për herë të parë mbledhjen e tij në Shqipëri me ftese të kryetares së delegacionit shqiptar dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në AP KiE, Blerina Gjylameti, vuri theksin te domosdoshmëria e një angazhimi të pandërprerë në këtë drejtim:
“Për Shqipërinë, angazhimi për të luftuar korrupsionin nuk është vetëm një obligim ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, por një domosdoshmëri për të garantuar një të ardhme të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Lufta kundër korrupsionit luan një rol qendror në procesin e integrimit evropian. Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian është një moment historik për vendin tonë, por sukseset në këtë rrugë varen drejtpërdrejt nga aftësia jonë për të ndërtuar institucione të pastra dhe transparente. Qytetarët tanë duhet të shohin rezultate konkrete që rrisin besimin e tyre te institucionet dhe te sundimi i ligjit. Pa këtë besim, çdo reformë rrezikon të mbetet në letër”, deklaroi ajo.
Në këtë kuadër, Gjylameti vlerësoi rolin e institucioneve të drejtësisë, si SPAK, BKH dhe Prokuroria, duke kërkuar që ato të jenë shembull i ndershmërisë dhe transparencës:
“Ndërtimi i institucioneve të forta është shtylla kurrizore e një shoqërie të qëndrueshme. Institucione si SPAK, BKH dhe Prokuroria kanë një rol kyç në këtë drejtim. Ato duhet të jenë jo vetëm efektive në ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit, por edhe shembull i ndershmërisë dhe transparencës. Lufta jonë kundër korrupsionit nuk mund të jetë selektive; ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e pavarur nga ndikimet politike apo ekonomike”, shtoi ajo.

Gjatë diskutimeve, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit me shoqërinë civile, që sipas Gjylametit, është një partner kyç për garantimin e rezultateve konkrete dhe përfaqësimin e zërit të qytetarëve. “Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë një rol të pazëvendësueshëm në monitorimin dhe ndërtimin e presionit pozitiv për përmbushjen e angazhimeve tona. Shoqëria civile është zëri i qytetarëve dhe partneri ynë kryesor për të siguruar që çdo hap përpara të reflektojë nevojat dhe aspiratat e popullit. Në thelb, lufta kundër korrupsionit është një betejë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Pa një sistem drejtësie të drejtë dhe të pavarur, asnjë demokraci nuk mund të funksionojë siç duhet. Për këtë arsye, parlamenti, si institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Roli ynë në monitorimin e punës së institucioneve të drejtësisë dhe forcimin e llogaridhënies duhet të jetë konstant dhe proaktiv”, nënvizoi ajo.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Gjylameti theksoi se puna e Komisionit duhet të shërbejë si udhërrëfyes për veprime konkrete në të ardhmen:
“Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme, por sfidat mbeten dhe angazhimi ynë duhet të jetë i palëkundur”, përfundoi Gjylameti.

Të pranishëm në këtë panel diskutimi ishin edhe Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, Zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Bledar Çuçi, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, njëherësh anëtare e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në AP të KiE, znj. Klotilda Bushka, anëtarja, znj. Etilda Gjonaj, anëtari i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në AP të KiE, z. Eduard Shalsi, z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni, Ministre për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, z. Altin Dumani, drejtues i SPAK, znj. Aida Hajnaj, Drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe përfaqësues të MONEYVAL.