Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës tha se është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me Mpox, apo linë e majmunëve. I infektuari me këtë virus është një 30-vjeçar. IKSHPK tha se ai ishte shtruar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës më 24 dhjetor, pasi ishte kthyer nga Afrika Perëndimore dhe kishte simptoma sikurse temperaturë, ethe, ndryshime në lëkurë, në fytyrë në duar dhe kruarje.

“Pacienti është në gjendje stabël shëndetësore. IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”, thuhej në njoftim.

Instituti bëri thirrje për kujdes, teksa shtoi se personat që preken nga lia e majmunëve zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare, të cilat, sipas IKSHPK-së zgjasin dy deri në katër javë. Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë. Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste virusi mund të jetë fatal për njeriun. Virusi përcillet me simptoma sikurse ato të gripit, si dhe me puçrra të mbushura me qelb nëpër trup.

Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli atë si emergjencë globale për shëndetin publik. Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, nënkupton që mund të ndahen më shumë fonde dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.