Udhëheqësi rebel Abu Mohammed al-Jawlani në Damask, u është drejtuar qytetarëve në xhaminë Umajad në qendër të qytetit. Ai mbajti në xhami fjalimin e tij të parë pas rrëzimit të Assad.

Ai tha se regjimi i Asasdit “burgosi ​​mijëra qytetarë të tij padrejtësisht dhe pa asnjë krim”, duke shtuar se “sot, ne shpërblehemi me këtë fitore. Kjo fitore është e të gjithë sirianëve”.

Në daljen e tij të parë publike që kur ushtarwt hynë në periferi të Damaskut, ai u tha mbështetësve se fitorja e rebelëve ishte “për të gjithë kombin” dhe se Assad e kishte bërë Sirinë “terren për lakminë e Iranit”.

“Çlirimi ka ndodhur pavarësisht hundës së atij tirani,” tha ai për Assadin.

Ai shtoi se Siria do të “shërohet plotësisht” nga efektet e luftës. “E ardhmja është e jona,” u tha ai mbështetësve.

Rebelët sirianë deklaruan sot se rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad, pasi morën kontrollin e Damaskut të dielën, duke e detyruar atë të arratiset dhe duke i dhënë fund sundimit autokratik të familjes së tij pas më shumë se 14 vitesh luftë civile.

Sirianët dolën në rrugë të dielën duke festuar fundin e sundimit të hekurt 50 vjeçar të familjes Assad, pas një përparimi të befasishëm të rebelëve që në pak ditë arritën në kryeqytet duke ngritur tani pikëpyetje për të ardhmen e vendit dhe rajonit më të gjerë.

Turmat u mblodhën në sheshet qendrore të Damaskut duke valëvitur flamurin sirian, skena që ngjasonin me ditët e para të kryengritjes së Pranverës Arabe, përpara se të niste një shtypje brutale nga ana e qeverisë që e zhyti vendin në një luftë civile gati 14-vjeçare.