Një murgeshë ishte mes 25 personave të arrestuar në Itali me dyshimin se ishte pjesë e një bande kriminale me lidhje me rrjetin mafioz më të fuqishëm të vendit, Ndrangheta.
Murgesha dyshohet se ka qenë hallka ndërlidhëse mes bandës dhe bashkëpunëtorëve të saj në burg, thanë të enjten prokurorët në Brescia, në veri të Italisë.
Një ish-këshilltar i Vëllezërve të Italisë, partia e udhëhequr nga kryeministrja, Giorgia Meloni, dhe një ish politikan me Lidhjen, një partner i koalicionit qeverisës, u arrestuan gjithashtu, në operacionin që çoi në sekuestrimin e 1.8 milionë euro fitime të paligjshme. Operacioni u shtri në disa qytete në rajonet e Lombardisë dhe Venetos, si dhe në Kalabri.
Të dyshuarit akuzohen për krime, duke përfshirë zhvatjen, trafikun e armëve dhe drogës, mallra të vjedhura, fajde, krime tatimore, pastrim parash dhe, në rastin e politikanit të Lidhjes, blerje votash.
Francesco Prete, kryeprokurori i Brescias, tha në një konferencë për shtyp se të dyshuarit “shfrytëzuan famën kriminale të organizatës ‘Ndrangheta”, ndërsa e kishin përshtatur atë në Italinë veriore, ku ata “merreshin me çështje fiskale”.
Teodoro Catananti, zëvendësprokuror, tha se banda përdori “dhunën tipike” të përdorur nga ‘Ndrangheta’, por “demonstroi një aftësi të ngjashme me kameleonin”.
Murgesha u identifikua nga mediat si Anna Donelli, 57 vjeçe. Sipas Rai news, ajo ka qenë vullnetare në burgun San Vittore në Milano që nga viti 2010 dhe ka punuar gjithashtu në burgjet e Pavias dhe Romës.
Në shkurt ajo ishte një nga përfitueset e “Panetonit të Artë”, një çmim vjetor qytetar në Milano.
Catananti tha se ajo akuzohet “për bashkëpunim të jashtëm me një organizatë mafioze” dhe ka shërbyer për “përcjelljen e informacionit” nga burgu në grupin kriminal.
Hetuesit thanë se “roli i saj shpirtëror” siguronte lidhjen me të burgosurit dhe i lejonte asaj të kishte “qasje të lirë në objektet e burgut”.
Ndrangheta, e cila e ka origjinën në Kalabri, është një nga grupet më të pasura të krimit të organizuar në botë. Ajo ka shfrytëzuar të ardhurat e saj të mëdha nga kokaina për të zgjeruar shtrirjen e saj në të gjithë Italinë, pjesën tjetër të Evropës dhe më gjerë.