Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi teksa komentoi protestën e një dite më parë, ku u bllokuan rrugët në Tiranë theksoi se opozita është në të drejtën e saj kushtetuese për të protestuar.
“U godita me grusht, por nuk isha vetëm unë, u goditën edhe shumë të tjerë. Policia është në shkelje të ligjit në mënyrë të dukshme”, tha ai në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN.
“Mënyra e thirrjes me megafon – “Lironi rrugën” – është e gabuar. Ne kemi detyrimin për të bërë njoftim te policia, për vendin dhe orën dhe policia ka detyrimin ligjor që të sigurojë një protestë të qetë.
Policia bën krejt të kundërtën duke bllokuar vet rrugën pa ardhur qytetarët dhe në mënyrë të parapërgatitur intimidojnë me magafon qytetarët.
Policët na kanë shtyrë dhe filluan më pas me shkelma e grushte poshtë skafandrës për të mos u dukur.
Ne nuk kemi bllokuar rrugë, nuk është vepër penale. Ne na e jep ligji këtë, na e jep Kushtetuta. Është e ligjshme kjo që ne bëjmë dhe është e jashtëligjshme kjo që bëjnë policët për të shpërndarë protestuesit”, shtoi Baçi.