Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në Konferencën “Femicidi: Problem social përtej statistikave”, organizuar nga Avokati i Popullit.
Në fjalën e saj, Koçiu u shpreh se “Femicidi” është pa dyshim njolla më e madhe e turpit që mund të mbajë një shoqëri.
“12 vajza dhe gra humbën jetën në Shqipëri në vitin 2023. 5 fatalitete të tjera kanë ndodhur deri në shtator të këtij viti. Ndërsa në botë, statistikat thonë se çdo 10 minuta një grua vritet sepse ka lindur grua. Deri në 100 mijë gra në vit vriten nga burrat thjesht sepse këta të fundit munden”, u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se zgjidhje më efektshme për të luftuar “femicidin” është të luftojmë ndaj arsyeve që motivojnë këtë fenomen në origjinë si rolet gjinore dhe steriotipet.
Ministrja u ndal në angazhimet e ndërmarra për adresimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke shtuar se çdo jetë e humbur është një thirrje për veprim më të shpejtë, më të vendosur dhe më gjithëpërfshirëse nga e gjithë shoqëria.
“Kriminalizimi i dhunës në marrëdhënie familjare dhe intime, forcimi i ndëshkimeve për trafikimin e grave dhe përndjekjen e tyre, parashikimi i rrethanave rënduese për krimet me motive gjinore, si dhe përmirësimet në Kodin Penal kanë rritur mbrojtjen dhe ndëshkueshmërinë. Po kështu, Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2022-2030 dhe angazhimi për zbatimin e rekomandimeve të GREVIO dhe CEDAË janë dëshmi e përkushtimit tonë për t’u përballur me këtë problem në mënyrë gjithëpërfshirëse”, nënvizoi Koçiu.
Më tej, Koçiu tha se MSHMS ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për të ndërtuar një sistem të fortë të referimit dhe për të ofruar shërbime psikosociale për viktimat e dhunës me bazë gjinore. “Fondi Social ka financuar këtë vit ngritjen dhe funksionimin e nëntë shërbimeve për viktimat e dhunës, duke përfshirë krijimin e qendrave të emergjencës në nivel lokal dhe strehëzave që ofrojnë shërbime të specializuara, si dhe qendrën komunitare për parandalimin e dhunës në familje për gratë dhe vajzat në situata të cenueshme. Nga këto shërbime kanë përfituar mbi 4 mijë viktima të dhunës në familjes”, deklaroi ministrja Koçiu.
Ajo vuri në dukje shërbimet që ofrohen në këto qendra për viktimat e dhunës dhe trafikimit, duke përfshirë: akomodim të sigurt, asistencë të drejtpërdrejtë, kujdes shëndetësor, mbështetje psiko-sociale, asistencë juridike, programe sociale punësimi dhe arsimimi.
Ministrja Koçiu apeloi që të gjitha hallkat e shoqërisë të angazhohemi për një të ardhme ku gratë dhe vajzat jetojnë të sigurta dhe të lira. “Lufta kundër femicidit kërkon angazhimin e të gjitha hallkave të shoqërisë. Shoqëria civile, media, dhe çdo qytetar duhet të jenë pjesë e këtij ndryshimi. Edukimi dhe ndërgjegjësimi janë elementë kyç për të sfiduar stereotipet gjinore dhe për të ndryshuar normat kulturore që ushqejnë dhunën ndaj grave. Padiskutim përfshirja e burrave dhe djemve në këtë luftë është po aq e rëndësishme sa mbështetja për gratë dhe vajzat. Femicidi nuk është thjesht një tragjedi personale për viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë shoqërinë”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.