“Ju nuk e dini por Sali Berisha ka qenë kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë”

Ilir Meta ka bërë akuza të rënda ndaj Sali Berishës në Kuvendin e Shqipërisë. Disa prej tyre, menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Sot, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aleatë të ngushtë, se i bashkon beteja kundër SPAK-ut, por në të kaluarën ata nuk kanë qenë gjithmonë në këtë pozicion. Madje, gjatë periudhës kur nuk ishin në bashkëqeverisje, ata kanë akuzuar rëndë njëri-tjetrin. Në mars 2008, Sali Berisha kryeministër, përpiqej të shmangte përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit, ndërsa Ilir Meta në opozitë, kryetar i LSI-së, ishte një nga zërat më të ashpër dhe më kritikë kundër kryeministrit Berisha. Tema sjell një episod të këtyre akuzave në parlament.

Seancë parlamentare, e mërkurë, datë 19.03.2008

Ilir Meta – Premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit, sepse fëmijët atje u sakatuan dhe u vranë, duke punuar me predha në dorë dhe nuk i pamë duke luajtur në internet. Ky Kryeministër i papërgjegjshëm nuk e jep dorëheqjen për arsye se ka hall të bëjë karta identiteti, sepse ky i ka në zemër zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend. Ky njeri edhe sot nuk jep dot një numër të saktë të njerëzve të vrarë. Dhe ju na mburreni për menaxhimin perfekt të posttragjedisë.

Po kështu, ky ka hall që Shqipëria të hyjë në NATO. Po ç’i duhet NATO-s Sali Berisha që nuk mbron dot si Kryeministër shtetasit e vet, popullin e vet, fëmijët e vendit të vet?! Nuk i duhet fare NATO Sali Berishës, sepse ka qenë edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se nuk e dini.

Njëkohësisht, na thotë se do të rrijë Kryeministër që të ndihmojë për zbardhjen e së vërtetës. Po kush do të ndihmojë për zbardhjen e së vërtetës, mor zotëri?! Katër vjet më parë këtu, në janar të vitit 2004, ka qarë më shumë se familjarët e viktimave të Karaburunit dhe ka premtuar se kur të vinte në pushtet do ta zbardhte dhe do t’i vinte përgjegjësit e asaj tragjedie përpara ligjit. Asnjë iniciativë nuk ka ndërmarrë për tre vjet që është në pushtet për zbardhjen e asaj tragjedie. E pra, si të besojmë ne se një njeri që nuk bëri asgjë për të zbardhur një tragjedi për të cilën ai nuk ishte përgjegjës, sepse ishte në opozitë, tani që ka përgjegjësi, që ka firmosur vendime qeverie, do të kontribuojë për zbardhjen e së vërtetës?!

Njëkohësisht, unë dua t’i kërkoj atij të japë dorëheqjen, jo vetëm që të lejojë prokurorinë për të hetuar në mënyrë të paanshme, sepse edhe ai vetë si Kryeministër është dhe duhet të jetë objekt i këtij hetimi. Askush nuk mund t’i mbushë mendjen askujt se prokurorja nuk do të jetë e ndikuar nga fakti që ai vazhdon të jetë Kryeministër i këtij vendi. Jo thjesht për arsyet ligjore, por edhe nga ana morale, sepse do s’do ai, natyrisht, ai nuk e ka me dëshirë, po është identifikuar si një njeri, i cili sjell tragjedi. Ky njeri sa herë del në televizor, të dashur deputetë, do t’ua shtojë dhimbjen atyre, të cilët kanë përjetuar atë tmerr nga afër dhe jo nga televizori. Le ta bëjë edhe për kaq, sepse ai në profesion ka qenë edhe mjek.

Sali Berisha – Zotërinj deputetë,

Nuk mendoj se me britma të këtij karakteri… Është normale të bërtasësh, të qash dhe të vajtosh në zi. Kjo është humane, është njerëzore, është e zakonshme. Por të çirresh dhe të bërtasësh për të fituar kapital politik për zinë, të sjellësh këtu argumente, të pretendosh, të sajosh dhe të stisësh gjëra nga më të pabesueshmet, kjo është absolutisht çnjerëzore. Prisja edhe nga ju këtu, zotërinj, që t’u bënit thirrje qytetarëve shqiptarë, edhe anëtarëve të partisë tuaj që të kontribuonin materialisht në atë krizë. Po, po, sepse atje është një rrënim. Nuk është e vërtetë fare që thua ti se nuk ka bilanc. Nuk fshehim asgjë, nuk fshehim asgjë. Nuk është e vërtetë, pra! Por problemi është, sepse e di si ja bëni ju? Ra kjo tani dhe… Jo, ore zotërinj; grupet janë nisur pardje dhe kanë verifikuar 410 shtëpi. Grupet e djeshme kanë verifikuar 1300 shtëpi të tjera, grupet e sotme kanë verifikuar 1100 shtëpi të tjera. Na thoni ju, zotërinj, është shpejtësi kjo apo jo?

Megjithatë, i nderuar, në qoftë se të duken të ngadalta veprimet, ke qenë edhe Kryeministër, dil jep skemën; cila është skema për t’i kryer veprimet sa më shpejt? Jep skemën. Ah, po, po! Skema është të të lëshoj karrigen. Jo, ore zotëri, se nuk ta lëshojnë të tjerët ty. Prandaj, lëre këtë punë. Jep skemën këtu tani!

Tani del problemi, pse nuk ke hetuar ngjarjen. Unë të them se ti ke të drejtë. Kjo është një pyetje se,absolutisht, kundërshtarit tim, kur shtron ato që janë të drejta, nuk kam për t’ia hedhur kurrë poshtë. Po çfarë të të bëj unë ty, ore zotëri që mbroje Sollakun me fanatizmin më ekstrem, duke mos e kuptuar dështimin e madh me emrin e tij? Edhe unë isha autori i emërimit të tij. Isha nuk e mohoj, por ama me kë të hetoja unë tragjedinë e 9 janarit, me Sollakun që e mbylli dhe e kriposi? Me kë të hetoja unë dosjet? Zotëri, tani ka një prokurori jopolitike. Të duket se nuk do të hetojë? Merr kryesinë e komisionit hetimor, zoti Meta dhe nis hetimin. Edhe unë jam i gatshëm. Më fakto shkaqet dhe unë do të të qëndroj plotësisht. Por, unë nuk mund të jap dorëheqjen, pse, ti kundërshtari im, e kërkon pa asnjë argument.

I nderuar zotëri,

Nuk mund të dalësh këtu të thuash se unë paskam kërkuar mosbombardimin e ish-Jugosllavisë, se nuk ka njeri që ta besojë. Që ta dish ti këtu, bombardimin e ish–Jugosllavisë e kam kërkuar në shtator të vitit 1992 dhe janë mbushur faqet e shtypit botëror. Por këtu nuk është puna të merrem me historinë e shkuar, se kemi familje ende me varre të hapura në shtëpitë e tyre, sepse nuk kanë gjetur viktimat, kemi viktima në morg të paidentifikuara. Këto janë probleme të tjera. Por edhe një herë të them, a i ke bindje ato që thua? Krijo komisionin hetimor dhe të jesh i bindur që do të vij dhe do të t’i them të gjitha motivet që unë mendoj.

Nuk kam bërë fjalë, kam thënë gabim njerëzor në kuptimin e ndonjë shkëndije, a cigareje. Nuk kam akuzuar njeri. Mund të kem edhe unë shumë motive të tjera për të thënë, por nuk dua të flas se është Prokuroria. Ore zotëri, e di çfarë bëni ju: “Na ishte se ç’na ishte”. Unë jam ky tani, nuk jam ai që isha. Sigurisht, sepse janë rrethana të tjera. Jo, ju lutem, a do të diskutoni për këto probleme apo për ato të tjerat? Më thoni ju.

TemA