Kylian Mbappé ka kaluar gjysmë sezoni te Real Madridi me ulje-ngritje, por me një përkushtim të ripërtërirë, çka ka shënuar pikë kthese në performancën dhe qëndrimin e tij. Pas momenteve të vështira, sulmuesi francez ka ndërmarrë hapa të sigurt drejt shndërrimit në lojtarin vendimtar, që tifozët madrilenë prisnin.

Pranimi i gabimeve – Pas ndeshjes kundër Sevilla, Mbappé pranoi se kishte kaluar një periudhë dyshimesh: “Javë më parë kisha arritur fundin, nuk isha vetvetja”. Francezi pranoi se ishte në borxh me klubin, tifozët dhe veçanërisht me Florentino Pérez, arkitektin e transferimit të tij. Penalltitë e humbura, veçanërisht ajo në “San Mamés”, ishin një goditje për krenarinë e tij dhe kujtesë se diçka duhej të ndryshonte. Pikërisht në atë moment vendosi të fliste me presidentin, duke premtuar ndryshim në qëndrim dhe performancë: “Askush nuk do të pendohet për transferimin tim”.

Besimi dhe mbështetja – Besimi i klubit nuk u lëkund asnjëherë. Florentino Pérez dhe stafi teknik, i drejtuar nga Carlo Ancelotti, e kuptuan se mënyra më e mirë për ta rikthyer lojtarin ishte t’i jepnin vazhdimësi, jo ta linin në stol. Edhe pse disa tifozë e konsideruan pankinën si një mënyrë për motivim, në Valdebebas gjithmonë preferuan ta mbanin në fushë.

Biseda me Florentino Pérez doli të ishte vendimtare për Mbappé. Sulmuesi shfrytëzoi atë moment për të reflektuar dhe rinovuar angazhimin e tij ndaj klubit. “Më duhej një shtysë për vetëbesimin tim, ajo erdhi falë mbështetjes së presidentit dhe të shokëve të skuadrës”, – shpjegoi francezi.

Një lider në ngritje – Performanca e Mbappé ka filluar të ndryshojë pas këtyre momenteve kyçe. Me 14 gola dhe 4 asistime deri tani, francezi po barazon shifrat me referencat e tjera të sulmit të bardhë, si Vinicius dhe Bellingham. Për më tepër, lidhja e tij me grupin është përmirësuar dukshëm, siç e dëshmuan bisedat kolektive pas ndeshjes kundër Milanit, ku u vendos një pikënisje e re për ekipin.

Sipas fjalëve të Ancelottit: “Periudha e adaptimit të tij ka përfunduar. Ai ka treguar një version të mirë dhe ende mund të përmirësohet. Është i motivuar dhe i lumtur që luan këtu”.

Ambiciet për të ardhmen – Mbappé e ka bërë të qartë se 2025 do të jetë një vit për të fituar tituj: “Mund të bëj shumë më tepër. Në ndeshjet e fundit kam luajtur më mirë. Penalltia e humbur në Bilbao ishte një pikë kthese; kuptova se duhej të jepja gjithçka për këtë fanellë”.

Edhe pse sfida e 50 golave duket ende e largët, Mbappé shfaqet i vendosur për të arritur nivelin e tij më të mirë dhe për ta udhëhequr Real Madridin drejt suksesit. Me muaj të tërë gare përpara, francezi e ka të qartë se historia e tij me klubin madrilen sapo ka filluar.