Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me prindërit e shkollës “Asim Vokshi” në Tiranë, në kuadër të takimeve këshilluese për kufizimin e përdorimit të platformave si TikTok.
“Deri më tani, kemi zhvilluar mbi 600 takime dhe konsultime me prindër, duke angazhuar mbi 27,000 prindër në dialogun për zhvillimin dhe sigurinë e fëmijëve tanë. Këto takime kanë qenë një platformë e fuqishme bashkëpunimi, ku kemi ndarë shqetësime, ide dhe propozime konkrete për të përmirësuar standardet e edukimit dhe mjedisin e shkollave tona,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Në fjalën e saj, Ministrja vuri theksin në fuqizimin e mekanizmave kundër dhunës dhe bullizmit në shkolla.
“Ne jemi duke punuar për një plan veprimi kombëtar për rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe për adresimin e fenomeneve që lidhen me dhunën online dhe bullizmin. Po ashtu, po fuqizojmë këto masa në mënyrë të qëndrueshme. Kryeministri tashmë ka prezantuar një projekt të rëndësishëm, i cili do të zhvillohet në kuadër të iniciativës për qytetet inteligjente. Një nga hapat kryesorë të këtij projekti është vendosja e kamerave inteligjente brenda institucioneve arsimore, që do të jenë një element thelbësor për rritjen e sigurisë në shkolla. Ky projekt ambicioz, i cili ka marrë frymëzim nga një model i suksesshëm i realizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të përmirësojë ndjeshëm monitorimin dhe kontrollin në shkolla.
Një tjetër objektiv i yni është fuqizimi i rolit të punonjësve socialë në shkolla, duke avancuar gjithashtu në drejtim të rritjes së numrit të oficerëve të sigurisë. Kemi 276 oficerë sigurie, këtë vit do të shtojmë rreth 36 shkolla të tjera me oficerë të rinj”,tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja u ndal dhe te roli vendimtar i trekëndëshit mësues-prind-nxënës dhe për rëndësinë e forcimit të dialogut me komunitetin e prindërve dhe për të ndërmarrë masa konkrete që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e sigurisë në shkolla.
“Të bashkuarit në të njëjtin front na çon jo vetëm drejt përmirësimit të standardeve edukative dhe arsimore, por edhe drejt një zhvillimi të shëndetshëm të brezit të ri, duke i ndihmuar ata të shpalosin potencialin e tyre më të lartë. Kjo bëhet e mundur përmes dhënies së shembullit të mirë dhe mbështetjes ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Secili fëmijë ka një aftësi të veçantë, pavarësisht notave ose vlerësimeve në lëndë të caktuara. Secili prej tyre duhet mbështetur dhe ndihmuar në kohën e duhur kur identifikohet nevoja për ndihmë. Për këtë arsye, duhet të jemi vigjilentë si në shkollë, ashtu edhe në familje, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve tanë. Fuqizimi i instrumenteve për parandalimin e dhunës, qoftë ajo online apo bullizmi në shkolla, është shumë i rëndësishëm. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i këshillit të prindërve dhe bordit të shkollës, që janë ura lidhëse për një angazhim të përbashkët. Nëpërmjet fuqizimit të këtyre mekanizmave, mund të bëjmë edhe më shumë për të mbështetur fëmijët tanë dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për ta.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.