NGA EDISON YPI/ 

Një miku në Amerikë i leu në zemër të më bëjë një dhuratë. Më thuaj ça tipi e ke tabletën ku shkruan ? më pyeti. Se ja të ra tableta nga dora, prishet, dhe budallallëqet që shkruan i merr lumi. Që kjo të mos ndodhë, do të nis një kapak apo një këllëf gome që po të ra tableta nga dora në dysheme, ose po e përplase diku me dashje ose pa dashje, të mos i gjej gjë shkrimet e tua që duhen shpallur trashëgimi kulturore që ruhet nga shteti shqiptar ose, po ta solla unë, nga shteti amerikan me të cilin na lidh miqësia vllazërore shekullore që nga Noli e tëhu.

Pas ca ditësh më erdhi një SMS me këtë përmbajtje,
Posta Shqiptare : Paketa juaj AL92001827441 i nenshtrohet detyrimeve doganore (49.99 ALL), te cilat duhet t’i paguani nepermjet: https://postashqiptare-al.com
Pra për një këllëf gome për tabletën me vlerë 15 dollarë, duhej me pagu 50 dollarë. Për më tepër në një faqe që kur provova ta hap, më tha se duhet të përshtas konfiguracionin e tabletës tek settingsat.
Epo mir, thash me vete, sjam ndonjë që merr vesh nga këto punë, për mua shyqyr që fal mikut këllëfi erdhi, po vete në postë ta paguaj doganën sa bën, dhe ta marr këllëfin.
Me të hyrë në postë pyes një çupë prapa qelqit:
-Të lutem ma jep një pako të vogël, ja ku e ke SMS-në që sapo më erdhi.
Me t’i hedhur një sy SMS-së,
-Ça pako do ti ? ma priti çupa që prapa qelqit. Se shikon që është hakerim. Fshije urgjent. Ke shpëtu për qime pa të vjedhur 50 dollarë.
Rrufeja mbi kokë. Pasi e mora pak veten, e pyeta,
-Jam i vetmi, apo ka dhe të tjerë viktima si puna ime ?
-Je i shtati për sot si puna jote.
Ndërhyri një kolegia e saj,
-Do jetë dikush që diçka di, ndonjëri që ka dijeni.
Se zgjata. Ika.
Kur të nesërmen prapë SMS,
I nderuar Klient! Lutemi te paraqiteni tek ZP Tirana 20, Ish fusha e aviacionit, godina 16 S1 Tirane, Albania, per te terhequr objektin postar LH236649186US.
Vajta prap te posta, prap te qelqa, prap te goca.
-Shife ktë, i thash, duke i tregu SMS-në.
-Kjo po, tha goca, kjo është e jona.
Vajti te një kthinë, më solli pakon. Vura një firmë. E mora, ika.
Ama koka mu bë lëmsh.
Sot SMS e rregullt. Dje SMS nga një hajdut që kërkon të më zhvasi ca lekë, jo dollarë, pra që nuk ësht i huaj por shqiptar që ka dijeni për arritjen e pakos, adresën, numurin e celularit. I bie të jetë i brendshëm, i Postës. Kolegia dinte diçka. Ndoshta nuk ka gisht asnjë nga gocat prapa qelqes, por me gjasa ndonjë i njohuri i tyre, të cilit, këto, apo njëra nga këto, i jep të dhënat, dhe ai ka ngritur kurthin, ka ndërtuar faqen, ka thurur tekstin e SMS-së.
Mirë po qe ndonjë nëpunës i rëndomtë që ndoshta zbulohet, dhe vjedhja ndal, dhe plaga zë kore, por po qe ndonjë shef a drejtor që i merr të dhënat prej ndonjë nëpunësi, ndoshta edhe prej ndonjërës nga gocat prpa qelqes. Nga ata legenat që flasin e bërtasin natë e ditë për korrupsionin, syçelësinë, administratën, shtetin, dhe nga ana tjetër shkojnë ujin poshtë rrogozit, individit, shtetit, ja ngulin kazmën prapa shpinës ?
Si mund të zbulohen, demaskohen, dënohen këta plehra ?
Sa kohë janë të njëjtët që në postë shërbejnë dhe në postë vjedhin, duket e vështirë.

Po të guxosh tu thuash një fjalë, të ngulin thonjtë në fyt. Të thonë: Si guxon të na prekësh nderin, sedrën, profesionin ? je vet hajdut.
Duket si hajdutllëk që do vazhdojë përgjithmonë.
Jo vetëm me pako dhe kapakë tablete. Me shumë e shumë vjedhje të tjera, me të dhënat elektronike të transfertave, transaksioneve etj. etj.
A do ishte rrugëzgjidhje, si është sot në modë. Me rrit ndjeshmërinë e institucioneve duke dhën kushtrimin, duke ngrejtë në këmbë popullin. Me protestu në bulevard, para SPAK-ut, para Parlamentit, duke blloku rrethrrotullimet, kryqëzimet, autostradat, portet, tunelet.
Duhet bërë diçka.
Po s’i gjetëm derman kësaj murtaje, do na thonë bota: Kot çliruam Kosovën. Kot po e fusim Shqipërinë në Europë. Më thuaj ça Poste ke, të të them ça shteti je. Po s’bëtë dot Postë, s’bëni dot Shtet./Marrë nga Facebook-u i autorit