Nga Mero Baze
Në ceremoninë e 34-vjetorit të asaj që ka mbetur nga ish-Partia Demokratike, mbrëmja nuk filloi si zakonisht me historinë e vjetër të saj, me lëvizjen e Dhjetorit apo me përkujtimin e atyre që përmbysën komunizmin në Shqipëri. Për vite të tëra, edhe kur PD ka qenë në pushtet, por edhe kur ka qenë e braktisur në opozitë, ky përvjetor mbahej vetëm për t’u kujtuar shqiptarëve se këta ishin partia e heronjve që përmbysën diktaturën dhe hapën Shqipërinë në Perëndim.
Mbrëmë heronjtë kishin ndryshuar. Ata ishin dy njerëz që janë në burg, njëri për mashtrim dhe tjetri për korrupsion, dënuar nga drejtësia e re shqiptare.
Njëri është dhëndëri i Sali Berishës, bashkvuajtës dhe bashkëvjedhës me të, në një nga historitë tipike të kapjes së shtetit në Shqipëri nga familjarët e kryeministrit. Ka privatizuar një kompleks sportiv, me procedura favorizuese për të duke e shpallur ish-pronar të një pjese të tokës dhe më pas gjithë shteti i kryeministrit që është vjehrri i tij ka qenë ushtar i dhëndërrit.
Dje, në atë sallë që mendohej të kishte sadopak solemnitet, të ftuarit që ishin njerëz të seleksionuar në raport me shkarkimin poshtë poenxheres së dhëndërrit, u ulën dhe dëgjuan heroin e tyre të ri, Jamarbër Malltezi, burri i Argita Berishës, i cili i bëri thirrje PD-së ta shpëtonte atë nga burgu i diktaturës ku e kishte futur.
Pra, në njëfarë mënyre po konvertohej historia e PD-së dhe heronjve të saj të antikomunizmit në histori të hajdutëve të saj, të cilët përballen me drejtësinë.
Dhe salla e përcolli e përunjur dhe e përgjunjur.
Njësoj edhe me Salianjin, një ish-deputet i përdorur për luftë të pistë politike, i dënuar nga dy gjykata të Shqipërisë. Edhe ai, duke marrë pozat e heroit të ri të PD-së, u kërkonte njerëzve të vobektë të asaj salle, ta shpëtonin atë nga diktatura e Edi Ramës që e ka futur në burg.
Nuk e kam aq me pozitat sociale të Salianjin në burg, pasi ndoshta do të ishte mirë ta linte dhe në liri atë dënim, por me faktin që PD po konverton në përvjetorët e saj historikë, heronjtë të cilët e themeluan atë si një parti antikomuniste, pro-perëndimore, me njerëz “non grata” dhe bashkëpunëtorë të tyre të dënuar për krime ordinere. Por mbi të gjitha po detyrohet PD të bjerë në gjunjë dhëndërrit të Sali Berishës me akuza për korrupsion, vetë Sali Berishës me akuza kombëtare e ndërkombëtare dhe bashkëpunëtorëve të tyre të keqpërdorur për vepra ordinere.
Heronjtë e themelimit të PD tani po zëvendësohen me heronjtë e “Rithemelimit” të PD-së, që ndryshe nga të parët, nuk janë ata që ne i nderojmë se i vunë gjoksin diktaturës, por në fund u eliminuan nga Sali Berisha, por heronjtë e rinj, që i shërbejnë Sali Berishës për korrupsion apo vepra ordinere, dhe tani duhet të ulim PD-në në gjunjë para tyre.