Fitorja e fundit e Teutës përkon fiks dy muaj më parë më datë 6 tetor pikërisht ndaj Tiranës. Pas asaj ndeshje, skuadra durrsake marrë 5 barazime dhe tri humbje në 8 jave.

Teuta dhe Tirana do të përballen në 9 dhjetor për ndeshjen e vlefshme të javës së 17-të të Superiores. Durrsakët, të cilët javën e shkruar, u ndalën sërish në Laç, duke arritur në 8 takime pa fitore, tani duan kthesën me bardheblutë. Në ndeshjen e fundit të luajtur mes tyre, Teuta triumfoi me rezultatin 3-1. Që pas asaj fitore, Teuta nuk ka arritur të ngrejë performancën e saj, duke lënë goxha pikë, pothuajse në çdo ndeshje. Tashmë ndaj Tiranës në kryeqytet kërkon ringjalljen. Një triumf që mund të quhet dhe “kthesa” e madhe për “Djemtë e Detit”.

PËRGATIJET – Teuta e ka lënë mënjanë barazimin ndaj Laçit, pasi në axhendë, ajo luan vetëm të hënën luan ndaj Tiranës. Në kampin blu kanë nisur menjëherë përgatitjet, në atë që cilësohet si dueli i dy ekipeve që i duhen pikët me doemos. Ndalesa me Laçin ishte një “dush i ftohtë” për blutë, që nuk morën dot tri pikët. Edhe Tirana vjen pas tre barazimeve radhazi. Në njëfarë mënyre, të dy ekipet po kalojnë një momente “jo” dhe e shohin pikërisht këtë përballje për t’u dhënë fund rezultateve zhgënjyese, në një kohë që durrsakët përpos barazimit të fundit, mbeten në vendin e 6-të të renditjes.

MBROJTJA – Edi Martini do të këtë një grup të plotë lojtarësh dhe nuk do të jetë i privuar nga mungesat. Në mbrojtje Daniel Simeu, i cili tashmë ka kaluar dëmtimin që e mban larg fushës prej 7 ndeshjesh, pritet të marrë minuta ndaj Tiranës. Simeu ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e deritanishme, duke u kthyer në pikën kyçe të skuadrës, sidomos në repartin e prapavijës. Për këtë arsye, rikthimi i tij, shton disi entuziazmin për sfidën ndaj bardhebluve. Gjithsesi, pritet që ky repart të forcohet disi me kontingjentin që ka skuadra në dispozicion. Martini shpreson shumë, se deri ditën e ndeshjes të këtë të gatshëm dhe liderin e bluve, Emiliano Vilën, i cili la fushën ndaj Bylisit në minutën e 10-të, pasi mori një goditje në gju. Ndaj Tiranës shpresohet që ai të marrë sërish në dorë “çelësat” e mesfushës së Teutës. Do të ishte një rikthim i rëndësishëm në ndeshjen më delikate të sezonit, e cila premton të jetë e luftuar deri në sekondën e fundit.