Avokati Spartak Ngjela foli për Artan Grubin, ish zv-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e BDI-së, i cili u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Është vazhdimësi sepse SHBA është zotuar që do të na heqë korrupsionin dhe atë po bën. Ai zotim është bërë botërisht dhe e ka thënë Blinkeni. Por pse?
Sepse kanë një interes shumë të madh për Shqipërinë, duan ta kenë partner kryesor në Evropë, jo vetëm në Ballkan. Veprimet e tyre janë shumë të qëndrueshme dhe po e vazhdojnë politikën e tyre.
Dhe mendoj se shumë shpejt në Shqipëri do të kemi zhvillime të forta sa i përket politikës”, tha Ngjela i ftuar në emisionin “Intervista e ditës” nga Ermal Peçi në Dritare TV.
Ndër të tjera avokati ka komentuar edhe takimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me Presidentin e SHBA, Donald Trump në ceremoninë e hapjes së Katedrales Notre-Dame de Paris.
“Të korruptuarit në Ballkan janë të lidhur me Rusinë. Përfshirë edhe të korruptuarit shqiptar. Nuk ka nevojë që të përmendësh emra, por cilin do që e shikoni të goditur nga ky proces, e ka mendjen tek Moska.
Të gjithë kanë menduar se me zgjedhjen e Trump ai do të mbrojë sllavët. Dhe për t’i rrëzuar të gjitha këto pretendime ai takoi Vjosa Osmanin. Ramën nuk kishte arsye ta takonte sepse Rama ka një shtet të konsoliduar, ndërsa Kosova është nën kërcënim.
Trump aty e kishte hallin, se me gjithë ato pretendime që ai do të mbështeste sllavët, të gjithë mendonin se do të ishte kundër Kosovës. Ai veprim është veprim politik nuk është thjesht një gjest për të treguar respektin për një grua. Për t’i thënë të gjithëve që unë jam ashtu siç kam qenë, nuk kam punë me sllavët.”
Avokati Spartak Ngjela foli edhe për zhvillimet e fundit ku drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), Altin Dumani, është nderuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kampion në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
“Nuk është problemi që Altin Dumani është i zgjedhuri i Amerikës, ai është prokurori i madh i SPAK. Ne aty i kemi shpresat. Tek ndërtimi i anti-korrupsionit, sepse korrupsioni po shkatërronte Shqipërinë. E gjithë shpresa jonë është tek SPAK.”- tha Ngjela.
Në mbyllje avokati ka komentuar edhe protestën e PL-së para SPAK në shenjë proteste pas arrestimit të Ilir Metës.
“Që nga Ilir Meta edhe nga ata që protestojnë tek SPAK nuk janë politikanë të nivelit të lartë, janë politikanë me nivel të ulët intelektual. Të gjithë e dinë që SPAK e drejtojnë ekspertët e huaj, pse shkojnë aty. Në qoftë se kanë diçka kundra Amerikës të shkojnë në Uashington, jo në Tiranë. Protesta e tyre është komedi. Edhe nëse kishte një shpresë të vogël që SPAK ta zbuste disi marrëdhënien me Ilir Metën tani nuk ekziston më pas protestë që bëri. Çfarë mund t’i bëjnë ata persona SPAK-ut, asgjë ata nuk tremben?!”- shprehet Ngjela.