Nga Edmond Arizaj

Pse nuk ndezin partitë dhe lëvizjet e reja në Shqipëri? As të majta, e as të djathta. Pothuaj as nuk bëhen rrezik për forca politike të atrofizuara ideologjikisht e vizionarisht. Për mendimin tim, si ato parti të reja që tashmë janë shpërbërë, kujtojmë Ben Blushin me “Libra”, si këto të sotmet, nuk kanë ditur të gjejnë, qoftë edhe të shpikin, telin elektrik, apo meqë jemi në javën e “Parashqevisë”, të gjejnë Parashqevinë e tyre. Një lëvizje PR ku njerëzit, populli, masa e madhe të kthejë fort sytë drejt tyre. Daljet me njerëzit ulur në karrige, shpërthimet emocionale në studio televizive, lotimi për popullin që vuan e që s’ka të hajë, xhindosja me pushtetarët që po shkaktojnë dëme masive më shumë se bombat në Ukrainë, janë filma të parë, madje të luajtur më bukur nga aktorë të tjerë që kanë edhe shikues të pablerë. E keqe, apo e mirë, makiaveliste, apo çurçilliane, kenediane, apo obamiane, syriziane, apo vetvendosëse, zotërinjve u duhet një “shpikje” PR.

Agron Shehaj, apo “Mundësia” si parti. Më duket i sinqertë, megjithëse përvoja shqiptare është e hidhur me sinqeritetin e politikës, shumë e hidhur. Artikulimi i tij në Kuvend, i vetmi nga të rinjtë që e ka këtë mundësi, është mbresëlënës; elokuent, argumentues, fshikullues, aspak mediokër, aq më pak banal. Ka disa pika gri në karrierën e tij, por këto i mbeten kohës. Nuk ka “prerje” udhëheqësi, por sikur mos të kesh të dhëna nuk ka as “prerje” për biznesmen. Agron Shehaj është një enigmë e bukur, që ia vlen të mos e kalojmë në harresë.

Adriatik Lapaj, apo “Shqipëria bëhet” si parti. Sinqeritet i munguar. Ku është Florian Binaj, pse nuk është më me lëvizjen?! Mungesa e tij, pas një prezantimi të fryrë mediatik, nuk mund të anashkalohet njësoj si ata që Lapaj i sulmon. Thjesht për të bërë diçka ndryshe. E folura nxitimthi e Lapajt duhet ndryshuar. Ai nuk e ndryshon dot të shkuarën e tij në daljet me të tjera parti, por ama minimumi duhet të shfaqë një ndryshim rrënjësor. Meqë është pothuaj çdo orë në ekran, një supermundësi kjo, duhet të nisë me impostimin e zërit, mënyrën e të folurit.

Të pretendosh se do marrësh 71 deputetë, me intonacionin njësoj sikur do të fitosh makina kauçuku në patatina, nuk i mbush mendjen as vetes kur e ridëgjon me përsëritje. Unë nuk do të doja që Tiku të dështonte. Ai është trashëgues i mirë i pothuaj gjithë kryetarëve-parti që kanë shoqëruar partitë e mëdha prej vitesh. Nuk e di sa realë janë ata që zënë stolat gjatë performancave të tij, sepse realisht më duket se ende nuk e ka ndërtuar një bosht, një tra filozofik, konceptual dhe vizionar që të magnetizojë njerëzit jo thjesht me “ata janë të këqijtë, ne do të jemi të mirët”.

Arlind Qorri, apo “Bashkë” si parti. Bashkë, apo veç, Qorri është i vetmi që ka aksion real në CV e tij. Mund ta quajmë revolucionar, komunist, anarkist, majtist, por ngado që ta kthesh, sido ta veshësh, është i vetmi nga partitë që nuk pretendon vota nga të gjithë shqiptarët, por nga të majtët, qendra e majtë, apo ekstremi i majtë. Si vallë nuk e votojnë pensionistët?! Këto janë çudi shqiptare. Arlindi ka një problem të madh, në gjykimin tim; qarjen, ankimin, sidomos për bojkotin që i bëjnë, ndoshta, mediat e mëdha, të mesme, apo të vogla. Kujt i qahesh Arlind?!?! Mendon që kundërshtari duhet të të japë armët, madje edhe të t’i mësojë si përdoren, që t’i marrësh elektorat?! Të qahesh në një kohë kur vetëm përhapja e ideve nuk është problem, atëherë ky është një problem. Qorri duhet ta zgjidhë shpejt këtë problem. Duke qenë se ai ka dhe platformë ideologjike, ndryshe nga të rinjtë e tjerë, duhet të shohë edhe njëherë sjelljen thjesht si akuzator. Nëse nuk do i njohë njeri fytyrat dhe zërat e të rinjve, do duken si të dërguar të Berishës. Qorri, çfarë alternative ke për të majtët? Mua do më pëlqente ta shihja në Kuvend. Ndoshta vetë të dytë, ose të tretë, jo më shumë.

Endri Shabani, ose “Nisma Thurrje” si parti. Mmmm. Një amalgamë mes filozofit, përtacit, borgjezit, analistit, politologut. Aspak zjarr. Aspak entuziazëm. Mendime të mira, por të paraqitura si formula fizike. Shpreson të drejtojë një parti për elitën?! Fatkeqësisht shkencëtarët e Shqipërisë numërohen me gishta. Shabani duhet të mësojë nga historia. Trocki kishte mendime të mira, por priste që duke ndenjur këmba mbi këmbë të tjerët të lëviznin këmbët për të. Nuk do të ndodhë. Jo se Endri i afrohet Trockit të kuptohemi, thjesht si shembull veprimi dhe ndërveprimi. Krahasuar me kolegët-rivalë, Shabanin do e rendisja të fundit për përpjekje në krijimin e frymës.

A mund të bëhen bashkë? E nëse bëhen bashkë sa mundësi kanë të mos lejojnë partitë e mëdha të marrin shumicën? Elektorati gri është i madh në fakt, por realisht duket e pakuptueshme se si këto parti -lëvizje, këta të rinj, nuk kanë bërë asnjë hap të ulen së bashku në një tryezë. Asnjë marrëveshje. Thjesht të ulen. Të diskutojnë. Të peshojnë forcat. E nëse, pse jo, t’i bashkojnë forcat në disa kërkesa që vendosin sadopak drejtësi në votime. Ndryshe partitë e mëdha, që kanë edhe gurët, edhe arrat, edhe mullirin, do t’i bluajnë sipas qejfit. E pas majit, do i shohim o duke bërë libra si Ben Blushi i “Librës”, o duke u zhdukur edhe nga panelet analitike të mbrëmjee si Astrit Patozi i “Bindjes”.