Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se qeveria shqiptare falë reformave të ndërmarra në sistemin e drejtësisë, ka ngritur në një nivel të ri luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e mbajtur sot, në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse, luftën ndaj korrupsionit: Politika dhe Instrumente”, ajo tha se “këtë vit kemi ndërmarrë një nismë për të hartuar një strategji gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale kundër korrupsionit që shtrihet për periudhën 2024-2030”.
Sipas saj, në këtë strategji adresohen të gjitha rekomandimet e GRECO-s.
“Ne kemi mbyllur tre raunde të vlerësimit të GREKO-s dhe në raundin e katërt Shqipëria u vlerësua se ka plotësuar 9 nga 10 rekomandimet e dhëna, pikërisht sa i takon parandalimit të korrupsionit tek gjyqësori, prokuroria dhe tek anëtarët e Parlamentit.
Ndërkohë që po vijojmë punën për plotësimin e rekomandimeve në raundin e 5 të GRECO-s që fokusohet për parandalimin e korrupsionit tek zyrtarët e lartë, përfshirë anëtarët e qeverisë, këshilltarët dhe punonjësit në institucionet ligjzbatuese, Policinë”, u shpreh ajo.
Pirdeni vuri në dukje se, Shqipëria për herë të parë ka ngritur tashmë një platformë online për deklarimin e pasurive për të gjithë zyrtarët dhe kjo ka rritur transparencën në deklarimin e pasurisë për çdo zyrtar.
Ajo theksoi se që nga viti 2022 e deri më sot ka një progres të shtuar në shumë drejtime.
“Sot të gjitha ministritë e linjës kanë një plan integriteti që është një mekanizëm efikas në identifikimin e risqeve të korrupsionit në institucionin përkatës që parashikon dhe masa për këto risqe.
“Çdo ministri ka një person integriteti që raporton te koordinatori kombëtar mbi zbatimin e planit të integritetit mbi baza 6-mujore dhe këto plane janë shtrirë edhe në nivel të institucioneve të varësisë”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, sot nga 61 bashki 24 prej tyre kanë plane integriteti të miratuara.
Ajo vuri në dukje punën që është bërë për përmirësimin e kuadrit ligjor sipas praktikave ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit.