Presidenti francez Emmanuel Macron të enjten bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë midis Evropës dhe SHBA në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me kushte të pranueshme nga Kievi. Macroni foli në Varshavë pas një takimi me kryeministrin polak Donald Tusk.
“Ne duhet të punojmë shumë ngushtë me amerikanët dhe, natyrisht, me Ukrainën për të gjetur një mënyrë që merr parasysh interesat e Ukrainës, sovranitetin e saj, si dhe interesat e evropianëve dhe sigurinë e tyre”, tha Macroni. Ai foli në mbështetje të “një paqe të negociuar nga ukrainasit dhe që u ofron atyre siguri e qëndrueshme”.
Macroni vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e koordinimit midis vendeve evropiane në formulimin e garancive të sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.
Plane për një koalicion të vullnetarëve
Përfaqësuesit e disa vendeve të NATO-s kanë zhvilluar bisedime konfidenciale për javë të tëra se si mund të monitorohet një armëpushim i mundshëm i ardhshëm në Ukrainë, mësoi dpa.
Franca dhe Britania e Madhe po përgatisin plane për një koalicion të vullnetarëve që do të monitoronte ushtarakisht një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
Që nga fundi i vjeshtës, Macroni ka udhëtuar në Britaninë e Madhe, Skandinavi dhe në Shtetet Baltike për të gjetur partnerë për këtë trupë. Presidenti francez ka deklaruar se një prani e tillë mund të bëhet e nevojshme edhe nëse forcat e armatosura ruse depërtojnë linjat ukrainase dhe i detyrojnë mbrojtësit të tërhiqen.