Mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka dështuar. Votat e nevojshme në parlament për shkarkimin e tij nuk u mblodhën pasi partia në pushtet bojkotoi procesin.
Për të rrëzuar presidentin, mocioni duhej të votohej nga të paktën 200 nga 300 deputetë, pra të mblidhej një shumicë prej dy të tretash. Opozita kontrollon 192 mandate dhe Partia e Pushtetit Popullor 108.
Vetëm dy deputetë të PPP mbetën në sallë dhe morën pjesë në votim. Pasi vetëm 195 deputetë morën pjesë përfundimisht në votim, kryetari i Asamblesë Kombëtare Woo Won-sik njoftoi se ai po e shpallte procesin “të pavlefshëm”.
Votimi u zhvillua në një atmosferë veçanërisht të tensionuar, vetëm disa orë pasi presidenti Yoon kërkoi falje publike për përpjekjen e papritur për të shpallur gjendjen ushtarake në vend. Në kohën e takimit, të paktën 150,000 njerëz ishin mbledhur jashtë parlamentit të Koresë së Jugut, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit.