Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, bën te ditur se sot është zhvilluar një takim me psikologët e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), të cilët sipas tij do të luajnë një rol kyç në përmirësimin e mirëqenies psikosociale të stafit të administratës dhe policisë në sistemin penitenciar.
Në një postim në rrjetet sociale, Qose ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për stafin që përballet çdo ditë me stres dhe ngarkesa emocionale të mëdha.
“Ky është një hap i parë për të ndihmuar stafin tonë që përballet me stres dhe ngarkesë të lartë emocionale çdo ditë. Puna që bëjnë psikologët është jetike.
Me programin e ri që kemi në plan të zbatojmë, do të ofrojmë trajnime dhe mbështetje për të gjithë ata që përballen me ngarkesa të mëdha”, shkruan Qose.
Qëllimi i këtij programi është të ulë stresin dhe të përmirësojë efikasitetin në punë.
“Synimi është i qartë: largimi i stresit dhe kthimi i efikasitetit në punë,” ka shtuar Qose.
Qose thekson se “jemi të gjithë bashkë në këtë rrugëtim për një administratë më të shëndetshme dhe një kulturë pune më mbështetëse”.