Florentino Perez e kërkon edhe këtë sukses.
Presidenti I Realit takoi “galaktikët” e tij, ndërsa afron ora për finalen e Kupës Interkontinentale.
Në një sezon tepër të ngarkuar, klubi madrilen do të synojë një tjetër trofe, për ta vendosur në kabinetin e titujve në “Santiago Bernabeu” ku ndodhen 105 kupa kombëtare e ndërkombëtare.
Finalja e sotme e orës 18:00 do të jetë në Doha të Katarit përballë kampiones së Meksikës, Paçuka, dhe padyshim që kampionia e Spanjës dhe e Europës është favorite.
Skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti kreu seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Lusail” ku do të luhet dueli.
Italiani do të jetë njeriu I stolit më I suksesshëm tek Reali nëse fiton sot, dhe do të arrijë në 15 trofe duke lënë pas legjendën Migel Munjoz.
Pritet që Anceloti të hedhë në fushë skuadrën më të fortë, pasi Kilian Mbape la pas dëmtimin, ndërsa Vinisius do të luajë për herë të parë pasi fitoi Çmimin e FIFA-s, si lojtari më I mirë I vitit.
Kupa Interkontinentale kthehet pas plot 20 viteve në këtë emër, pasi që nga 2004-ra FIFA e kishte zëvendësuar me Kupën e Botës për klubet, e cila tashmë do të jetë me format shumë më të zgjeruar.
Paçuka e Meksikës nuk jepet me shumë shanse në këtë finale, por gjithsesi nuk mund të nënvleftësohet një ekip që eliminoi kampionen e Amerikës së Jugut, Botafogo, në çerekfinale me shifrat 3-0, dhe pastaj kampionen e Afrikës, Al Ahli të Egjiptit.