Zhoze Murinjo ka lëshuar një përgjigje të ashpër ndaj Pep Guardiolës pasi trajneri i Mançester Sitit u kujtoi tifozëve se ai kishte fituar dy herë më shumë tituj të Premier Ligës se trajneri portugez.
Guardiola e bëri komentin teksa iu përgjigj pyetjeve pas humbjes 2-0 të skuadrës së tij ndaj Liverpulit fundjavën e kaluar. 53- vjeçari u pa duke ngritur gjashtë gishta drejt tifozëve në “Anfield” pas ndeshjes, pasi ai po provokohej prej tyre se të nesërmen në mëngjes do të ishte i shkarkuar. Imazhi ngjalli kujtime të Murinjos, i cili thuajse në të njëjtën mënyrë u tregoi tre gishtat tifozëve të Çelsit dhe Totenhemit gjatë një humbje në ditët e fundit të karrierës së tij te Mançester Junajtid në vitin 2018.
Mou u shkarkua muaj më vonë dhe Guardiola u pyet nëse mund të kishte të njëjtin fat. Menaxheri i Mançester Sitit u përgjigj: “Shpresoj që jo në rastin tim… Ai fitoi tre, unë fitova gjashtë, por ne jemi njëlloj kështu. Ne jemi së bashku në ato situata për t’i bërë tifozët tanë të kuptojnë se ne jemi shumë, shumë më të mirë se njerëzit që e këndojnë atë (koret e tifozëve të Liverpulit që këndonin do të shkarkohesh në mëngjes). Ishte një gjest vetëm për t’i bërë tifozët tanë të ndjejnë se ajo që kemi bërë është e jashtëzakonshme. Dua të tregoj se jemi një klub i jashtëzakonshëm futbolli. Herët a vonë do të vijë fundi, por unë do të përpiqem ta zgjas sa më shumë që të jetë e mundur për më të mirën e klubit tim”.
Reagimi i portugezit – Por Murinjo nuk mund të qëndronte i papërfshirë në këtë dhe i është kundërpërgjigjur spanjollit dhëmbë për dhëmbë. Trajneri i Fenerbahçes tha: “Guardiola më tha diçka dje. Ai fitoi gjashtë trofe dhe unë fitova tre, por unë fitova me drejtësi dhe pastërti. Nëse humbas, unë dua të përgëzoj kundërshtarin tim, sepse ai ishte më i mirë se unë. Nuk dua të fitoj duke u marrë me 150 procese gjyqësore”. Portugezi po i referohej qartë 115 akuzave me të cilat përballet Siti aktualisht. Kampionët e Anglisë rrezikojnë deri në një përjashtim të mundshëm nga Premier Liga për shkak të 115 akuzave të ngritura ndaj tyre për shkelje të rregullave financiare të Premier Ligës.
Procesi që nisi në shtator, fillimisht u mbulua me mister, përpara se të zbulohej më vonë se po mbahej në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në Londër (IDRC). Të mërkurën, avokatët e Premier Ligës, Endrhu Hanter KC dhe Adam Ljuis KC, nga zyra e “Blackstone Chambers” u panë duke shkuar në qendër për deklaratat përmbyllëse. Nëse Ljuis dhe ekipi i tij ligjor dëshmojnë se katër herë radhazi fituesit e Premier Ligës janë fajtorë për shkeljet më të rënda financiare, klubi mund të përballet me dënime të paprecedenta si rrëzim nga kategoria ose zbritje të konsiderueshme pikësh. Të gjitha 115 akuzat kundër Mançester Sitit do të hetohen, shqyrtohen dhe analizohen nga një komision i pavarur.