Legjenda e Brazilit, Ronaldo, ka bërë me dije se do të hedhë kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale Federatës së Futbollit brazilian pasi dëshiron të rikuperojë “prestigjin” e kombëtares braziliane.

48-vjeçari, i cili ka luajtur 98 ndeshje për Seleçaon, do të kandidojë si për të zëvendësuar presidentin aktual, Ednaldo Rodrigues, të cilit i mbaron mandati në mars të vitit 2026. Zgjedhjet presidenciale duhet të zhvillohen 12 muaj përpara.
Brazili, pesë herë fitues rekord i Kupës së Botës, e fitoi për herë të fundit kompeticionin në vitin 2002 dhe që atëherë nuk ka përparuar më tej fazës çerekfinale.

“Për shumë dekada, futbolli brazilian ka qenë gjithmonë rruga e shpëtimit për popullin brazilian kur ata përballeshin me probleme të përditshme. Ky ishte karburanti i popullit brazilian dhe sot shohim një mungesë totale të interesit nga popullata për ekipin kombëtar”, tha Ronaldo për Globo Esporte.

“Ndër qindra gjëra që më motivojnë të bëhem kandidat për president të CBF-së është të rikuperoj prestigjin dhe respektin që ekipi kombëtar ka pasur gjithmonë si asnjë kombëtare tjetër”, shtoi fenomeni.
Ronaldo, fitues i Kupës së Botës në 1994 dhe 2002, është i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Botëror pas gjermanit Miroslav Klose me 15 gola në 19 paraqitje. Karriera ndërkombëtare e ish-sulmuesit të Real Madridit zgjati 17 vjet dhe përfshin dy tituj të Copa America dhe një medalje olimpike bronzi.

Brazili e ka fituar vetëm një herë Kupën e Amerikës që kur doli në pension Ronaldo në vitin 2011 dhe u eliminua së fundmi nga Kupa e Botës në 2022 nga Kroacia në çerekfinale.
“Ne kemi lojtarët më të mirë, kemi Vinicius Jr, Neymar, Rodrygo, Estevao, Endrick… kemi shumë talent, si mund të mos luajmë mirë? Duhet ta ndryshojmë këtë dinamikë. Brazili duhet të jetë protagonist në Kupën e Botës, në Kupën e Amerikës, nuk mund të humbasë Olimpiadën. Është e papranueshme për talentin që kemi”, ka thënë Ronaldo.
Nazario do të duhet të shesë aksionet e tij në klubin spanjoll të Real Valladolid nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale të Federatës së Futbollit brazilian.